Melike Pala
28 shtator 2026•Përditësim: 28 shtator 2026
Bashkimi Evropian sot zgjati mandatet e misioneve të tij për asistencë kufitare dhe policore në territoret palestineze për nëntë muaj, deri më 30 qershor 2027, transmeton Anadolu.
Këshilli i BE-së njoftoi zgjatjen e mandatit të Misionit të BE-së për Asistencë Kufitare në pikën e kalimit Rafah (EUBAM Rafah) dhe Misionit Policor të BE-së për Territoret Palestineze (EUPOL COPPS).
Vendimi pasoi përfundimet e miratuara nga liderët e BE-së në qershor, të cilët rikonfirmuan angazhimin e bllokut ndaj së drejtës ndërkombëtare dhe një "paqeje gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe të qëndrueshme" të bazuar në zgjidhjen me dy shtete, tha Këshilli në një deklaratë.
BE-ja përsëriti gatishmërinë për të ndihmuar në zbatimin e një plani gjithëpërfshirës paqeje për Gazën, përfshirë përmes dy misioneve. Zgjatja pasoi një rishikim strategjik nga Shërbimi Evropian për Veprimin e Jashtëm, i miratuar nga Komiteti Politik dhe i Sigurisë i BE-së ndërsa u bazua në letrat e Autoritetit Palestinez dhe Izraelit, sipas deklaratës.
EUBAM Rafah mbështet zhvillimin e menaxhimit efektiv dhe të qëndrueshëm të kufirit në pikën e kalimit Rafah dhe u themelua në vitin 2005. EUPOL COPPS, i themeluar në vitin 2006 ndihmon përpjekjet palestineze për forcimin e institucioneve të policisë dhe drejtësisë penale.