Presidentja Osmani priti në takim presidenten e KE-së, Ursula von der Leyen
Presidentja Osmani ka shprehur pritjet e saj që miratimi i Planit të Rritjes të jetë ndër vendimet e para të Kuvendit të Kosovës, tani kur ky institucion legjislativ është konstituuar

Prishtinë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, priti në takim presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, të cilës ja theksoi përkushtimin e Kosovës ndaj agjendës së reformave në kuadër të Planit të Rritjes, duke nënvizuar rëndësinë e zbatimit të tyre dhe bashkëpunimit të ngushtë me Bashkimin Evropian (BE) në këtë proces, transmeton Anadolu.
Zyra e Presidentes pas takimit dypalësh njoftoi se presidentja Osmani ka shprehur pritjet e saj që miratimi i Planit të Rritjes të jetë ndër vendimet e para të Kuvendit të Kosovës, tani kur ky institucion legjislativ është konstituuar.
Presidentja Osmani theksoi se reformat e suksesshme dhe përparimi i vazhdueshëm i Kosovës në indekset ndërkombëtare të demokracisë dhe sundimit të ligjit janë dëshmi e qartë e përkushtimit të vendit ndaj integrimit evropian dhe në këtë kontekst, ajo ritheksoi rëndësinë që Kosovës t’i jepet statusi i vendit kandidat për anëtarësim në BE, duke gjetur mënyra për thyerjen e bllokadës aktuale që ekziston në BE.
Në takim, presidentja Osmani po ashtu theksoi domosdoshmërinë e heqjes së masave të padrejta ndaj Kosovës, duke rikujtuar se edhe vetë Komisioni Evropian ka konfirmuar se këto masa duhet të hiqen, që nga propozimi i Përfaqësuesit të Lartë të BE-së në qershor 2024.
Duke folur për përpjekjet e Kosovës drejt përafrimit me BE-në, presidentja Osmani theksoi se mbështetja e Komisionit Evropian në këtë proces mbetet thelbësore.
Përveç kësaj, presidentja ngriti gjithashtu çështjen e rritjes së bashkëpunimit me BE-në për të mbështetur sektorin e shëndetësisë në Kosovë, si një domosdoshmëri për zhvillimin e vendit dhe ngritjen e cilësisë së jetës për të gjithë qytetarët e Kosovës.
Përgjatë takimit u diskutua për procesin e formimit të qeverisë pas konstituimit të Kuvendit, si dhe për zhvillimin e zgjedhjeve lokale, me ç’rast Osmani shprehu shqetësimin për ndërhyrjet e vazhdueshme dhe të paligjshme të Serbisë në proceset zgjedhore në Kosovë, të cilat i konsideroi si veprime destabilizuese që bien ndesh me të drejtën ndërkombëtare.
Von der Leyen arriti për vizitë zyrtare në Prishtinë pas vizitës së saj në Beograd ku u takua me presidentin serb Aleksandar Vuçiq.