Presidentja Osmani: Mitrovica dhe veriu i vendit janë toka shqiptare
Presidentja Osmani këto deklarata i bëri sot në Mitrovicë, pas takimit me kryetarin e ri të Komunës së Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, i cili më 12 dhjetor mori zyrtarisht detyrën e kryetarit
Prishtinë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka deklaruar se Mitrovica dhe veriu i vendit janë toka shqiptare, duke theksuar se trashëgimia kulturore ilire në pjesët veriore është dëshmi e kësaj, transmeton Anadolu.
Presidentja Osmani këto deklarata i bëri sot në Mitrovicë, gjatë një konference për media pas takimit me kryetarin e ri të Komunës së Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, i cili më 12 dhjetor mori zyrtarisht detyrën e kryetarit.
"Këto toka kanë qenë gjithmonë të shqiptarëve dhe vet trashëgimia kulturore ilire që shihet kudo në pjesën veriore sado të largëta brenda territorin tonë është dëshmia më e madhe e kësaj", tha Osmani.
Ajo theksoi se me kryetarin Faton Peci njihen që nga fëmijëria për shkak se të dy janë rritur në Mitrovicë dhe tha se është e bindur në profesionalizmin dhe përkushtimin e tij për punë në misionin e tij të ri.
Presidentja kosovare tha se duke e duke e ditur rëndësinë e kësaj pjese për shtetin e Kosovës, do të bashkëpunojë me kryetarin e Mitrovicës, Faton Peci, sa më shumë që të jetë e mundur, në mënyrë që siç tha "të vazhdojmë ta ruajmë sovranitetin dhe integritetin e Republikës Kosovës".
Tutje, Osmani ka thënë se gjatë takimit kanë folur për nevojat, shqetësimet dhe perspektivën zhvillimore të qytetit, si dhe për rëndësinë e mbështetjes institucionale nga niveli qendror.
Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Faton Peci tha se vizita e presidentes përbën një sinjal të rëndësishëm për vëmendjen institucionale që po i kushtohet qytetit.
Sipas tij, Mitrovica për një kohë të gjatë është trajtuar vetëm si problem i vetë mitrovicasve ndërsa tashmë është pozitive që qyteti ka vëmendjen dhe mbështetjen e presidentes, qeverisë dhe kryeministrit në detyrë Albin Kurti.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
