Presidentja Osmani kërkon njohjen e Kosovës nga Vatikani
Osmani theksoi se një vendim i tillë do të kishte ndikim pozitiv jo vetëm për Kosovën, por edhe për paqen, stabilitetin dhe mirëqenien në rajon
Prishtinë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se gjatë një takimi në Vatikan ka kërkuar nga Papa Leoni që Selia e Shenjtë ta njohë zyrtarisht pavarësinë e Kosovës, transmeton Anadolu.
Takimin që zhvilloi në Vatikan, presidentja Osmani e cilësoi si shumë domethënës për marrëdhëniet mes dy palëve.
Osmani në rrjetet sociale tha se kjo ishte një ditë e rëndësishme për raportet ndërmjet Kosovës dhe Vatikanit, duke bërë të ditur se, përveç takimit me Papën, ka zhvilluar bisedime edhe me kardinalin Pietro Parolin.
“Në takim me Papa Leonin e 14-të natyrisht që paraqita shpresën dhe besimin e të gjithë popullit të Kosovës se Vatikani më në fund do ta marrë vendimin e shumëpritur për ta njohur Republikën e Kosovës, duke njohur edhe vuajtjet e gjata të popullit të Kosovës për të jetuar i lirë dhe i pavarur”, u shpreh Osmani.
Osmani theksoi se një vendim i tillë do të kishte ndikim pozitiv jo vetëm për Kosovën, por edhe për paqen, stabilitetin dhe mirëqenien në rajon.
Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në 2008, përfaqësues të institucioneve të larta në Kosovë kanë zhvilluar kontakte të vazhdueshme me Selinë e Shenjtë, duke e ngritur çështjen e njohjes së pavarësisë. Kërkesa për njohje është artikuluar qartë, por Vatikani ende nuk e ka njohur formalisht shtetësinë e Kosovës.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
