BALLKANI

Gjykata Speciale liron me kusht Isni Kilajn

Në vendimin e tij të 3 dhjetorit të vitit 2025, gjykatësi konstatoi se rrethanat kishin ndryshuar që prej rishikimit të paraburgimit të Kilaj në tetor të vitit 2025 dhe se mbajtja e tij në paraburgim nuk ishte më as e arsyeshme, as proporcionale

Agim Sulaj  | 10.12.2025 - Përdıtësım : 10.12.2025
Gjykata Speciale liron me kusht Isni Kilajn

Prishtinë

Ish-kryetari i Komunës së Malishevës, Isni Kilaj, rreth një viti pas arrestimit është liruar me kusht nga Gjykata Speciale, pasi u konstatua se mbajtja e tij në paraburgim nuk është më e arsyeshme dhe as proporcionale, raporton Anadolu.

Në vendimin e tij të 3 dhjetorit të vitit 2025, gjykatësi konstatoi se rrethanat kishin ndryshuar që prej rishikimit të paraburgimit të Kilaj në tetor të vitit 2025 dhe se mbajtja e tij në paraburgim nuk ishte më as e arsyeshme, as proporcionale.

Megjithëse gjykatësi konstatoi se ekzistonte njëfarë rreziku që në qoftë se lirohet Kilaj mund të pengojë ecurinë e procesit ose të kryejë vepra penale të tjera, ai arriti në përfundimin se në rrethanat konkrete e drejta themelore e Kilaj për liri peshon më shumë se këto rreziqe.

Kilaj akuzohet bashkë me Hashim Thaçin, Bashkim Smakajn, Fadil Fazliun dhe Hajredin Kuçin për pengim të drejtësisë, e njohur si “Çështja 12”.

Një nga faktorët kyç për lirimin me kusht ishte fakti se koha që Kilaj ka kaluar në paraburgim tashmë tejkalon dënimin minimal që do të përballej nëse shpallej fajtor.

Si masë lehtësuese për ta liruar me kusht Kilajn u mor edhe përfundimi i paraqitjes së provave në çështjen kryesore kundër Hashim Thaçit dhe të tjerëve.

Gjykata ka thënë se rreziku është shumë i ulët që Kilaj të ndikojë në dëshmitarët e Prokurorisë për “Çështjen 12”, si dhe nuk ekziston rreziku i arratisjes “bazuar në sjelljen e tij gjatë lirimit të mëparshëm dhe ofrimin e një dorëzanie financiare të konsiderueshme”.

“Kilaj mbetet i akuzuar në gjykimin aktual dhe për lirimin e tij janë caktuar disa kushte që synojnë të zvogëlojnë rrezikun e ndikimit të tij ndaj dëshmitarëve në ҫështjen gjyqësore kundër të tij ose në ҫështje të tjera gjyqësore në Dhomat e Specializuara. Në vendim përcaktohet se në qoftë se z. Kilaj do të shkelë cilindo prej kushteve të lirimit të tij, do të lëshohet një fletarrestim për arrestimin e tij të menjëhershëm”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Speciale.

Lajmit për lirimin me kusht të Isni Kilajt i është gëzuar edhe Organizata e Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), e cila tha se ky zhvillim përbën hap drejt reflektimit nga Gjykata Speciale.

“Ky vendim rikthen një të drejtë të tij që i është mohuar padrejtësisht për një kohë të gjatë, njësoj siç po vazhdon të mohohet edhe për bashkëluftëtarët e tjerë që mbahen ende në paraburgim”, thuhet në reagimin e organizatës.

Isni Kilaj, i cili ka qenë komandant i UÇK-së, ishte arrestuar nga Gjykata Speciale më 5 dhjetor të vitit 2024.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın