BALLKANI

Presidentja e Kosovës, Osmani reagon për thirrjet antishqiptare në ndeshjen Maqedoni e Veriut - Rumani

Osmani ka thënë se thirrjet e tilla cenojnë frymën e bashkëjetesës dhe respektit të ndërsjellë, derisa e konsideroi shqetësuese që zyrtarët më të lartë shtetërorë në Maqedoni të Veriut ende nuk kanë reaguar për këtë rast

Agim Sulaj  | 04.08.2025 - Përdıtësım : 04.08.2025
Presidentja e Kosovës, Osmani reagon për thirrjet antishqiptare në ndeshjen Maqedoni e Veriut - Rumani

Prishtinë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani i ka quajtur të papranueshme thirrjet antishqiptare në ndeshjen e basketbollit të zhvilluar në Kumanovë gjatë fundjavës midis Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë, transmeton Anadolu.

Osmani ka thënë se thirrjet e tilla cenojnë frymën e bashkëjetesës dhe respektit të ndërsjellë, derisa e konsideroi shqetësuese që zyrtarët më të lartë shtetërorë në Maqedoni të Veriut ende nuk kanë reaguar për këtë rast.

Presidentja kosovare ka bërë thirrje që të merren masa të menjëhershme ndaj atyre që kanë bërë thirrje të tilla.

"Shqiptarët janë popull autokton në trojet e tyre si dhe meritojnë të trajtohen me dinjitet dhe barazi, ashtu si çdo komunitet tjetër. Edhe më shqetësues mbetet fakti që zyrtarët më të lartë shtetërorë në Shkup nuk kanë reaguar ndaj kësaj gjuhe urrejtëse e përjashtuese, duke lënë hapësirë për retorika që minojnë tolerancën ndëretnike dhe harmoninë që vendi synon të ndërtojë në rrugën e tij drejt familjes evropiane", thuhet në deklaratën e Osmanit.

Osmani ka shtuar se sporti duhet të jetë mjet bashkimi e jo platformë për ideologji të errëta.

"U bëjmë thirrje institucioneve të Maqedonisë së Veriut që të ndërmarrin masa të menjëhershme kundër organizatorëve të këtyre thirrjeve, përgjegjësve dhe atyre që nxisin e përhapin urrejtje, duke dënuar çdo formë të gjuhës së urrejtjes, mbrojtur parimet e bashkëjetesës dhe tolerancës, si vlera bazë të një shteti që synon integrimin në BE. Republika e Kosovës do të mbrojë me vendosmëri dinjitetin e shqiptarëve, kudo që ata jetojnë", thuhet në reagimin e Osmanit.

Në ndeshjen e së shtunës në Kumanovë, ku Maqedonia e Veriut humbi 80 me 72, pati thirrje të ndryshme nga tifozët në tribuna, sikurse "Vdekje shqiptarëve", si dhe "Le ta kuptojnë shqiptarët e mallkuar, emri maqedonas nuk do të zhduket. Maqedoni e pastër, e pastër, e pastër".

Të pranishëm në ndeshje ishin personalitete të larta shtetërore të Maqedonisë së Veriut, përfshirë kryeministrin Hristijan Mickoski, kryetarin e Kumanovës Maksim Dimitrievski, ministrin e Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski dhe zëvendëskryeministrin Ivan Stoilkoviq.

Federata e Basketbollit e Maqedonisë së Veriut tha se distancohet dhe dënon "sjelljet e pahijshme të një pjese të vogël të tifozëve në ndeshjen Maqedoni e Veriut – Rumani".



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın