Parku i Madh i Liqenit Artificial të Tiranës, atraksioni i veçantë në të gjitha stinët
Parku, i cili përbën masivin më të madh të pemëve dhe gjelbërimit në qytetin e Tiranës, frekuentohet nga qytetarë të moshave të ndryshme, që kalojnë një pjesë të ditës së tyre duke bërë ecje, vrap, pedalim, aktivitete sportive dhe të tjera

Tiranë
Parku i Madh i Liqenit Artificial të Tiranës është një nga atraksionet e veçanta të kryeqytetit të Shqipërisë, që frekuentohet nga qytetarë të shumë në çdo stinë të vitit.
Parku, i cili përbën masivin më të madh të pemëve dhe gjelbërimit në qytetin e Tiranës, filloi të ndërtohet në vitet 50. Sipërfaqja aktuale e parkut është 156,9 hektarë, ndërsa ajo e liqenit artificial është 4,5 hektarë.
Sipas të dhënave zyrtare të Bashkisë së Tiranës, në vitin 1955 u krijua liqeni artificial nga ujërat përreth, si dhe u ndërtua me punë vullnetare një digë 400 metra e gjatë, e cila i pengon ujërat të vërshojnë drejt Tiranës.
Ndërkohë, në vitin 1957-1958 filloi mbjellja e pemëve dhe bimësisë dekorative, si dhe ndërtimi i infrastrukturës së parkut dhe për dekada me radhë parku është transformuar, duke u shndërruar sot në një vend rekreacioni.
Në park janë vendosur edhe disa vepra historike, arti, social-kulturore, përkujtimore, monumente, memorialë dhe vepra të tjera të ndryshme. Pjesë e parkut është edhe Memoriali i Dëshmorëve të 15 Korrikut, që përkujton dëshmorët e rënë në Türkiye gjatë tentativës për grusht shteti të 15 korrikut 2016.
Qytetarët që e frekuentojnë janë të moshave të ndryshme dhe kalojnë një pjesë të ditës së tyre duke bërë ecje, vrap, pedalim, aktivitete sportive dhe të tjera.
Hëna Zaimi është një pensioniste 68-vjeçe nga Tirana, e cila për Anadolu thekson se parku i liqenit është gjëja më e mrekullueshme dhe më e mirë që ka Tirana.
"(Parku) na shton jetën, është gjëja më e mirë për shëndetin, për të gjitha. Është një gjë shumë e mrekullueshme dhe unë nun mund të ndahem dot nga mëngjesi deri në darkë përditë, edhe shi të bie, edhe ftohtë të jetë", shprehet Zaimi.
Agron Korreshi, 72-vjeç, është një tjetër qytetar që jeton në Tiranë, i cili frekuenton pothuajse çdo ditë parkun. Ai thotë se çdo gjë është e mirë në park, sidomos ajri i pastër. "Ne bëjmë ecje. E frekuentojmë shumë me gjithë familjen, çdo ditë nga dy orë e gjysmë", tregon Korreshi.
Parku frekuentohet edhe nga të rinj, sidomos studentët të cilët në kohën e tyre të lirë dalin shëtitje, për vrap, pedalim, por ka edhe nga ata që frymëzohen për punime të tyre artistike.
Brisilda Tare, 25-vjeçe, e cila është studente në degën pikturë monumentale në Universitetin e Arteve në Tiranë, tregon se në park ajo gjen çlodhjen dhe qetësinë shpirtërore, duke e vizituar me shoqërinë dhe familjen. "E vizitoj shpesh. Pjesa më e bukur që i pëlqej Tiranës është këtu (në park), është një natyrë shumë e bukur, të ofron shumë gjëra", shprehet Tare.
Edhe Raina Kasaj, nga Fieri, 22-vjeçe, studion për pikturë monumentale në Universitetin e Arteve në Tiranë, ndërsa vizita në liqen është një frymëzim për të për të realizuar edhe punimet të saj artistike.
"Zakonisht gjatë kohës së lirë pas orëve të mësimit e frekuentojmë liqenin dhe e kemi si çlodhje të shpirtit. Preferoj shumë që të dëgjoj shushurimat e gjetheve dhe cicërimat e zogjve. Është një art më vete natyra", tregon ajo.
Duke theksuar se pjesa më e bukur është pasqyrimi i diellit mbi liqen që preferon ta realizojë me foto, ajo tregon se vizita në park e frymëzon që të realizojë punime në piktura. "Unë merrem me mozaikë dhe vitrazhe, që është piktura në xham dhe gjej atë frymëzimin tim në liqen. Normalisht që pikturat e mia i bëj dhe gjatë vizitës tek parku i liqenit", tregon ajo.
Sipas të dhënave zyrtare të Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit të Bashkisë së Tiranës, në Parkun e Madh të Liqenit Artificial ka një bimësi me rreth 32.958 copë drurë dhe shkurre të ndara në drurë pyjorë, drurë frutorë dhe shkurre të ndryshme. Gjithashtu, parku është një habitat i llojeve të ndryshme të kafshëve dhe shpendëve.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.