Në Zagreb mbahet takim mes Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës në fushën e mbrojtjes
Sipas njoftimit të Ministrisë së Mbrojtjes të Kosovës, takimi i mbajtur më 30 janar në Zagreb, përbën një nga veprimet në kuadër të zbatimit të fushave të bashkëpunimit të dakorduara ndërmjet palëve
Zagreb
Në Ministrinë e Mbrojtjes së Kroacisë, në bazë të Deklaratës së përbashkët trepalëshe të nënshkruar në mars 2025 nga ministrat e mbrojtjes të Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës, u mbajt takim trepalësh në nivelin e drejtorëve të politikave të mbrojtjes dhe armatimeve, transmeton Anadolu.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Mbrojtjes të Kosovës, takimi i mbajtur më 30 janar në Zagreb, përbën një nga veprimet në kuadër të zbatimit të fushave të bashkëpunimit të dakorduara ndërmjet palëve.
Delegacioni i Kosovës u udhëhoq nga drejtori i Politikave të Mbrojtjes, Faruk Geci, ku u shkëmbyen mendime lidhur me mundësitë për avancimin e bashkëpunimit të përbashkët në fushën e aftësive mbrojtëse, bashkëpunimin ndërmjet industrive mbrojtëse të vendeve nënshkruese, si dhe hapat e mëtejmë për zbatimin e Deklaratës.
Deklarata përcakton katër fusha kryesore të bashkëpunimit të mëtejmë trepalësh, të cilat përfshijnë promovimin e bashkëpunimit në fushën e aftësive mbrojtëse dhe industrisë mbrojtëse, rritjen e ndërveprueshmërisë përmes arsimit, trajnimit dhe ushtrimeve të përbashkëta, adresimin e kërcënimeve hibride dhe forcimin e qëndrueshmërisë, si dhe ofrimin e mbështetjes së vazhdueshme dhe të plotë për integrimin euroatlantik.
Po ashtu, deklarata e përbashkët trepalëshe konfirmoi angazhimin për forcimin e mëtejmë të bashkëpunimit trepalësh në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes ndërmjet Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës, me synim rritjen e sigurisë dhe stabilitetit në Evropën Juglindore.
Në këtë kuadër, sipas ministrisë, u theksua rëndësia e përpjekjeve të koordinuara për adresimin e sfidave të reja të sigurisë, kërcënimeve hibride dhe rreziqeve të tjera që mund të cenojnë stabilitetin rajonal dhe atë ndërkombëtar.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
