Ministri Lamallari: Nuk ka trajtim degradues apo çnjerëzor në paraburgim ndaj ish-presidentit Meta
Sipas Ministrisë së Drejtësisë, gjatë interpelancës në seancën e sotme parlamentare, Lamallari ka mohuar pretendimet për trajtim të padrejtë ndaj Metës
Tiranë
Ministri i Drejtësisë i Shqipërisë, Besfort Lamallari, ka deklaruar se nuk ka trajtim degradues apo çnjerëzor në paraburgim për ish-presidentin Ilir Metën, raporton Anadolu.
Sipas Ministrisë së Drejtësisë, gjatë interpelancës në seancën e sotme parlamentare, Lamallari ka mohuar pretendimet për trajtim të padrejtë ndaj Metës.
Në fjalën e tij gjatë seancës, Lamallari tha se raporti i Avokatit të Popullit jep rekomandime përgjithësuese dhe nuk është sipas tij një raport që konstaton shkelje konkrete apo përgjegjësi individuale në rastin ndaj Metës.
"Raporti në asnjë moment nuk konstaton dhe nuk përdor terminologjinë trajtim degradues apo çnjerëzor dhe kjo është e vërteta. Rekomandimet e (Avokatit të Popullit) janë në proces shqyrtimi dhe analize nga strukturat përgjegjëse të sistemit të burgjeve, sipas afateve ligjore. Paralelisht, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka forcuar mbikëqyrjen administrative, me fokus parandalimin e çdo praktike që mund të interpretohet si cënim i dinjitetit njerëzor", ka deklaruar ai.
Interpelanca ishte kërkuar nga kryetari i grupit parlamentar të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi.
Partia që Meta drejton, partia opozitare, Partia e Lirisë pretendon se në raportin e Avokatit të Popullit të Shqipërisë janë konstatuar shkelje dhe sipas saj ndaj ish-presidentit Meta ka patur në paraburgim trajtim çnjerëzor dhe denigrues.
- Çështja ndaj ish-presidentit Meta
Ish-presidenti Meta është arrestuar më 21 tetor të vitit 2024, i dyshuar për kryerjen e disa veprave penale në lidhje me çështjen që është e njohur si "Kontrata e shërbimit CEZ-DIA" dhe për "kontrata lobimi në SHBA". Ai aktualisht është në paraburgim.
Sipas Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Meta është i dyshuar për pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim pasurish.
Meta, i cili aktualisht është kryetar i partisë opozitare, Partisë së Lirisë, ka mbajtur poste të larta në institucionet e shtetit shqiptar.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
