BALLKANI

Mbyllen kutitë e votimit për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë

Sipas të dhënave të KQZ-së, deri në orën 17:00 votuan mbi 38 për qind të qytetarëve me të drejtë vote, ndërkohë rezultatet preliminare të procesit zgjedhor pritet të bëhen publike në orët në vijim

Agim Sulaj  | 28.12.2025 - Përdıtësım : 28.12.2025
Mbyllen kutitë e votimit për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë Foto: Erkin Keçi/AA

Prishtinë

Në Kosovë janë mbyllur për qytetarët kutitë e votimit për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 28 dhjetorit, raporton Anadolu.

Sipas të dhënave të fundit të Komisionit Qendror të Kosovës (KQZ), deri në orën 17:00 votuan mbi 38 për qind të qytetarëve me të drejtë vote.

Numri i shtetasve të Kosovës me të drejtë vote ishte 2.076.290, prej të cilëve 1.999.204 qytetarë patën mundësi që të votojnë në njërën nga komunat e Kosovës nga ora 7 e mëngjesit deri në orën 7 të mbrëmjes.

Sa i përket votimit nga jashtë Kosovës, procesi u mbyll ditën e djeshme, ku për të votuar u regjistruan mbi 77 mijë votues të cilët jetojnë në diasporë.

Numri i Qendrave të Votimit të hapura për votim ishte 948 me gjithsej 2.614 vendvotime, prej të cilave 910 qendra me 2.557 vendvotime për votimin e rregullt dhe 38 qendra, nga një për çdo komunë, me 57 vendvotime për të mundësuar votimin me kusht.

Në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës morën pjesë 24 subjekte politike me gjithsej 1.180 kandidatë për deputetë.

Komisioni Qendror i Kosovës (KQZ) dhe autoritetet tjera të vendit nuk njoftuan për ndonjë incident apo parregullsi serioze që do ta cenonte procesin e zgjedhjeve.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në fjalën e saj pasi ushtroi të drejtën e votës, tha se shpreson që rezultatet e këtyre zgjedhjeve të rezultojnë me krijim sa më të shpejtë të Parlamentit dhe Qeverisë së Kosovës të cilat janë të domosdoshme për procese të rëndësishme të brendshme dhe ndërkombëtare për Kosovën.

Rezultatet preliminare të procesit zgjedhor pritet të bëhen publike në orët në vijim.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.