BALLKANI, Koronavirusi

Maqedonia e Veriut ndryshon vendimin, pa PCR test do të udhëtohet edhe në Kosovë

"Mundësia për shtetasit maqedonas për të hyrë në Kosovë pa test PCR mbetet, por qeveria u bën thirrje qytetarëve të mos udhëtojnë jashtë nëse nuk kanë nevojë urgjente", tha qeveria në një njoftim

Admir Fazlagikj  | 12.10.2020 - Përdıtësım : 12.10.2020
Maqedonia e Veriut ndryshon vendimin, pa PCR test do të udhëtohet edhe në Kosovë

Shkup

Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka bërë të ditur se për shkak të përkeqësimit të pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19) në rajon, hyrja e qytetarëve të vendit në Serbi, Mal të Zi dhe Bosnjë e Hercegovinë nuk do të lejohet pa paraqitur një test negativ për virusin jo më të vjetër se 48 orë nga momenti i hyrjes në këto vende, transmeton Anadolu Agency (AA).

"Mundësia për shtetasit maqedonas për të hyrë në Kosovë pa test PCR mbetet, por qeveria u bën thirrje qytetarëve të mos udhëtojnë jashtë nëse nuk kanë nevojë urgjente", tha qeveria në një njoftim.

Më tej, në njoftim qeveria tha se "autoritetet shëndetësore në përputhje me situatën e re epidemiologjike në rajon, në ditët në vijim do të rishikojnë vendimin për qytetarët e Kosovës, Serbisë, Malit të Zi dhe Bosnjë e Hercegovinës për të hyrë në Maqedoninë e Veriut pa një PCR test".

Vendimi i mëparshëm, tani i anuluar përveç me Kosovën, me të cilën autoritetet në vendet e rajonit vendosën të mos kërkojnë testin negativ për të kaluar kufijtë, u mor më 6 tetor.

Atëherë, qeveria e Maqedonisë së Veriut vendosi të lejojë udhëtime të pandërprera nga dhe në vendet në rajon pa paraqitur një test negativ.

Kujtojmë se pas mbylljes së kufijve shkaku i pandemisë COVID-19, Maqedonia e Veriut hapi vendkalimet kufitare në vend më 17 qershor, por me zbatimin e masave për të parandaluar përhapjen e virusit, përfshirë testin negativ për COVID-19 jo më të vjetër se 72 orë dhe nënshkrimin e një deklarate të detyrueshme të vetë-izolimit 14-ditor.

Më vonë, më 26 korrik Maqedonia e Veriut hapi kufijtë e saj për Shqipërinë pa PCR test dhe pa një detyrim karantine, por jo edhe me Kosovën.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.