BALLKANI

Maqedoni e Veriut, vazhdojnë protestat kundër propozimit francez

Demonstruesit filluan protestën para Qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe më pas u drejtuan drejt ndërtesës së Ministrisë së Punëve të Jashtme, e më pas edhe para ndërtesës së Kuvendit

Edıta Zekjırovıkj  | 07.07.2022 - Përdıtësım : 07.07.2022
Maqedoni e Veriut, vazhdojnë protestat kundër propozimit francez Foto: Edıta Zekjırovıkj / AA

Shkup

Vazhduan edhe sot protestat e qytetarëve, duke kërkuar refuzimin e propozimit francez për mosmarrëveshjen ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë dhe fillimin e negociatave të Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian (BE), raporton Anadolu Agency (AA).

Demonstruesit filluan protestën para Qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe më pas u drejtuan drejt ndërtesës së Ministrisë së Punëve të Jashtme (MPJ), e më pas edhe para ndërtesës së Kuvendit.

Gjatë lëvizjes së demonstruesve nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut drejt Ministrisë së Punëve të Jashtme, ka ndodhur një incident gjatë të cilit ka pasur të shtëna me armë në ajër. Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) bëri të ditur se personi është arrestuar.

Nga ndërtesa e MPJ-së, demonstruesit vazhduan drejt Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, ku u hodhën vezë, shishe dhe u përdorën mjete piroteknike.

Megjithatë, situata mbeti nën kontroll dhe protestuesit thanë se do të vazhdojnë protestat e tyre edhe në ditët në vijim.

MPB njoftoi se gjatë protestës së djeshme janë lënduar 47 policë, 11 prej tyre me lëndime më të rënda dhe dy me lëndime të rënda, ndërsa 11 protestues janë ndaluar.

Lideri i opozitës VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski, ditët e kaluara ka theksuar se propozimi aktual i Francës për zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë është i njëjtë me atë të mëparshëm dhe, sipas tij, përmban “të gjitha kërkesat bullgare sa i përket gjuhës, historisë dhe identitetit”.

Më 30 qershor, Qeveria e Maqedonisë së Veriut pranoi një propozim të modifikuar nga presidenca franceze, pas së cilës filloi një proces konsultimi, fillimisht me Qeverinë dhe partnerët e koalicionit, e më pas me Presidentin e Shtetit, me Parlamentin dhe me opozitën, si dhe me sektorin civil.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, deklaroi se propozimi i modifikuar përfshin vërejtjet dhe qëndrimet e palës maqedonase dhe se parasheh një pranim të qartë të gjuhës maqedonase.

Presidenti francez Emmanuel Macron, presidenca e të cilit hartoi propozimin, beson se është gjetur një zgjidhje kompromisi me propozimin për të dyja palët.

Propozimi francez është një dokument që duhet të çojë në heqjen e vetos dyvjeçare të Bullgarisë për fillimin e bisedimeve për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın