BALLKANI

Maqedoni e Veriut, organizohen protesta për rastin "Monstra"

Protestuesit që kishin nisur marshimin nga parku i Çairit në Shkup, arritën para objektit të Qeverisë, duke mbajtur pankarta me nënshkrime: "Pa drejtësi nuk ka paqe", "Stop standardeve të dyfishta", "Stop gjyqësisë selektive"

Abdula Berisha  | 02.04.2021 - Përdıtësım : 03.04.2021
Maqedoni e Veriut, organizohen protesta për rastin "Monstra" ( Husamedin Gina - Anadolu Agency )

Shkup

Në Maqedoninë e Veriut sërish janë organizuar protesta kundër vendimit gjyqësor për rastin "Monstra", raporton Anadolu Agency (AA).

Protestat kësaj radhe kaluan pa tensione, ndonëse në protestën e organizuar më 26 shkurt u regjistruan tensione dhe përleshje mes protestuesve dhe forcave të rendit.

Protestuesit që kishin nisur marshimin nga parku i Çairit në Shkup, arritën para objektit të Qeverisë, duke mbajtur pankarta me nënshkrime: "Pa drejtësi nuk ka paqe", "Stop standardeve të dyfishta", "Stop gjyqësisë selektive".

Njëri ndër organizatorët e protestës, njëherësh familjar i të dënuarve në rastin "Monstra", Bedri Hajdari, u shpreh se "nuk kërkojmë lëmoshë, por drejtësi".

"Ky dëm po shfaqet nëpërmjet politizimit dhe partizimit të Prokurorisë dhe Gjykatës, si dhe përdorimit të tyre për qëllime politike. Ne këtu nuk po kërkojmë lëmoshë, por po kërkojmë drejtësi, drejtësi evropiane, e jo drejtësi politike", tha Hajdari.

Duke kërkuar rishqyrtimin e rastit, ai kërkoi nga përfaqësuesit diplomatikë të vendeve të huaja të ndihmojnë në krijimin e një trupi të pavarur juridik, të përbërë edhe nga prokurorë ndërkombëtarë.

Hajdari gjithashtu i bëri thirrje Qeverisë së Maqedonisë së Veriut që të lirohen të arrestuarit nga protesta e 26 shkurtit.

Rasti "Monstra"

Gjykata Penale në Shkup më 23 shkurt ka shpallur 3 dënime të përjetshme në rastin "Monstra" për veprën penale "terrorizëm", dënime me burg prej 15 respektivisht 9 vjetësh për vepra penale "ndihmë autorit të një vepre penale", ndërsa liroi njërin nga të akuzuarit.

Gjyqi për rastin "Monstra" filloi më 20 dhjetor 2012, me akuzën për vrasjen e 5 personave më 12 prill 2012 afër Liqenit të Smillkovës.

Në qershor të vitit 2014, gjashtë të akuzuar u dënuan me burgim të përjetshëm, kurse një person u lirua.

Më 24 nëntor 2017, Gjykata e Lartë vendosi që rasti "Monstra" të rihapet dhe të dënuarit të lirohen nga burgu nën masën e kujdesit.

Situata e pakonfirmuar faktike si dhe ekzistenca e mundshme e bisedave të përgjuara që mund të ndryshonin rrjedhën e procedurave, ishin arsyet e kërkesës së Prokurorisë për Gjykatën e Lartë për të marrë vendim për rihapjen e rastit.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.