BALLKANI

Maqedoni e Veriut, ish-ministrja Jankulloska dërgohet në burg

Nga Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut konfirmojnë se pjesëtarë të MPB-së, pas një urdhri të marrë nga gjykata, kanë dërguar ish-ministren Gordana Jankulloska në burgun e Idrizovës për të vuajtur dënimin me burg

Abdula Berisha  | 28.09.2020 - Përdıtësım : 29.09.2020
Maqedoni e Veriut, ish-ministrja Jankulloska dërgohet në burg Foto: AA/Arhiv

Shkup

Ish-ministrja e Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut, Gordana Jankulloska, është dërguar në burgun e Idrizovës sot në orët e pasditës për të vuajtur dënimin me burg, transmeton Anadolu Agency (AA).

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), Toni Angellovski, në një bisedë telefonike për AA konfirmoi se pjesëtarë të MPB-së, pas një urdhri të marrë nga gjykata, kanë dërguar Jankulloskan në burg.

Ky vendim i gjykatës vjen pasi më 17 shtator, Gjykata Supreme e Maqedonisë së Veriut i konfirmoi aktgjykimet e Gjykatës së Apelit Shkup dhe i refuzoi kërkesat për analizimin e jashtëzakonshëm të aktgjykimit të plotfuqishëm të shtruar nga ish-kryeministri Nikolla Gruevski, ish-ministrja e Punëve të Brendshme Gordana Jankulloska dhe ish-ndihmës ministrit të Punëve të Brendshme, Gjoko Popovski.

Për lëndën “Tanku” ish-kryeministri dhe ish-kreu i VMRO-DPMNE-së opozitare, Nikolla Gruevski, u gjykua me dy vite burgim për pranimin e një shpërblimi dhe për ndikim të jashtëligjshëm për furnizimin me një “Mercedes” luksoz, ish-ministrja e Punëve të Brendshme mori dënim me burg në kohëzgjatje prej katër vitesh ndërsa ish-ndihmës ministri në MPB, Gjoko Popovski u dënua me gjashtë vite e gjashtë muaj për keqpërdorimin e pozitës zyrtare dhe autorizimit.

Procesi gjyqësor për ish-ministren Jankullovska u zhvillua ndaras për shkak të shtatzanisë së saj.

Në nëntor të vitit 2018, ish kryeministri Gruevski njoftoi në rrjetet sociale se i ishte miratuar kërkesa për azil politik në Hungari.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.