BALLKANI

"Macron nuk dha garanci për vendim pozitiv para Samitit të Zagrebit"

Presidenti i Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski tha se nuk ka marrë garanci të plotë se do të ketë vendim pozitiv për fillim të bisedimeve para Samitit të Zagrebit, por ka marrë garanci se deri atëherë do të miratohet metodologjia e re

Husamedin Gina  | 15.11.2019 - Përdıtësım : 16.11.2019
"Macron nuk dha garanci për vendim pozitiv para Samitit të Zagrebit" ( Husamedin Gina - Anadolu Agency )

Shkup

Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ka deklaruar nuk ka marrë garanci të plotë se do të ketë vendim pozitiv për fillim të bisedimeve mes Bashkimit Evropian (BE) dhe Maqedonisë së Veriut deri në Samitin e Zagrebit i cili pritet të mbahet më 6 maj të vitit të ardhshëm, raporton Anadolu Agency (AA).

Presidenti Pendarovski mori pjesë në promovimin e kadetëve të rinj në Akademinë Ushtarake në Shkup, ku u pyet rreth takimit të tij me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, të mbajtur më 12 nëntor në Paris.

Ai tha se është një optimist i matur, duke shtuar se nga presidenti Macron ka marrë garanci se metodologjia e re do të miratohet sa më shpejtë që është e mundur.

Franca insiston në ndryshim të metodologjisë së pranimit të anëtarëve të rinj në BE, duke rezultuar që Këshilli i BE-së të mos ketë konsensus për fillim të bisedimeve me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në takimin e mbajtur në muaji tetor.

"Unë jam një optimist i matur, nuk jam optimist radikal. Edhe nga presidenti Makron nuk fituam garanci 100 për qind se do të ketë vendim pozitiv para Samitit të Zagrebit. Kemi garanci se do të miratohet metodologjia sa më shpejt që është e mundur, kjo nënkupton më së voni deri në mars. Në këtë pjesë mund të jemi pothuajse të sigurt se ashtu do të ndodh. Gjithçka pas kësaj është vendim politik", tha Pendarovski.

Presidenti i vendit gjithashtu tha se nuk ka kërkesa shtesë nga BE ndaj Maqedonisë së Veriut, duke shtuar se BE ka kërkuar kohë që të miratojë metodologjinë e re për pranim të anëtarëve të rinj.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.