BALLKANI

Kosovë, krerë të shtetit përkujtojnë 3 dhe 4 shkurtin e vitit 2000 në Mitrovicë

Presidentja Osmani në përvjetorin e 26-të të kësaj masakre tha se Mitrovica qëndroi dhe nuk u thye “ndaj ky krim nuk do të harrohet kurrë dhe drejtësia do të mbetet kërkesë e pandalshme”

Agim Sulaj  | 03.02.2026 - Përdıtësım : 03.02.2026
Kosovë, krerë të shtetit përkujtojnë 3 dhe 4 shkurtin e vitit 2000 në Mitrovicë

Prishtinë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, kanë përkujtuar Masakrën e 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000 në Mitrovicë, transmeton Anadolu.

Presidentja Osmani në përvjetorin e 26-të të kësaj masakre tha se Mitrovica qëndroi dhe nuk u thye “ndaj ky krim nuk do të harrohet kurrë dhe drejtësia do të mbetet kërkesë e pandalshme”.

“Në përvjetorin e Masakrës së 3–4 shkurtit 2000 në Mitrovicë, kujtojmë me dhimbje dhe respekt të thellë një nga plagët më të rënda të pasluftës. Në ato ditë të errëta, bandat kriminale serbe vranë 10 civilë të pafajshëm, plagosën 25 të tjerë dhe dëbuan me dhunë 1.564 familje me gjithsej 11.364 anëtarë nga shtëpitë e tyre”, tha Osmani.

Ajo tha se ky ishte një krim i hapur kundër njerëzimit, një përpjekje brutale për ta thyer shpirtin e një qyteti dhe sipas saj për ta zhdukur praninë e shqiptarëve në pjesën veriore të këtij qyteti.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, tha se edhe pas 26 vjetësh, dhimbja e atyre netëve më 3 dhe 4 shkurt 2000, mbetet e gjallë në kujtesën kolektive, duke i cilësuar ngjarjet si një akt të rëndë dhune ndaj qytetarëve shqiptarë të paarmatosur dhe një fushatë të organizuar frike e dëbimi me synim ndryshimin e realitetit etnik në atë pjesë të qytetit.

Basha ka vlerësuar se këto krime ndryshuan thellësisht strukturën demografike dhe jetën shoqërore në veri të Mitrovicës, por ka shtuar se sot, pas më shumë se dy dekadash, veriu i vendit nuk është më hapësira e pasigurisë dhe e sundimit të bandave që ishte dikur.

“Përkujtimi i 3 dhe 4 shkurtit nuk është vetëm kthim pas në histori, por thirrje për drejtësi dhe zotim që shteti ynë të mos lejojë kurrë më dhunë dhe dëbim për shkak të përkatësisë etnike”, ka shkruar Basha.

Më 3 dhe 4 shkurt 2000, pjesëtarë të policisë së Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë dhe ata të Rojave të Urës, iu bashkuan një grupi të serbëve të Mitrovicës Veriore që hynë në ndërtesat ku jetonin familjet shqiptare, në pjesën veriore të qytetit, duke ndërmarrë veprime për dëbimin dhe vrasjen e tyre me mjete eksplozive, armë dhe thika.

Me këtë rast, humbën jetën: Nderim Ajeti, Nexhmije Xhaka, Sebiha Abrashi, Remzije Canhasi, Muharrem Sokoli, Selime Berisha, Nezir Voca, Shqipe Voca, Bashkim Rukeci dhe Nimon Sejdiu.

Sipas të dhënave të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, gjatë trazirave të shkurtit të vitit 2000, serbët kishin vrarë 10 shqiptarë, plagosur 25 persona dhe kishin dëbuar 11.364 shqiptarë nga shtëpitë e tyre në veri të Mitrovicës.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın