Kosova pranon donacion nga Jordania për menaxhimin e COVID-19
“Në emër të qeverisë, falënderova popullin dhe shtetin mik të Jordanisë, në veçanti Mbretin Abdullah II, për mbështetjen vëllazërore të ardhur me aeroplan special nga Jordania”, ka thënë zv/kryeministri Tahiri

Prishtinë
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Tahiri, i shoqëruar me ambasadorin e Kosovës në Shqipëri, Nait Hasani, kanë pranuar në aeroportin e Tiranës në Shqipëri një donacion me ndihma mjekësore për menaxhimin e pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19) në emër të Qeverisë së Kosovës, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ndihmat, siç njofton Qeveria e Kosovës nëpërmjet një komunikate për media, përfshinë gjysmë milioni maska, 10 mijë mantele, 5 mijë kominoshe dhe 30 mijë dezinfektues, "të gjitha këto pjesë e kontigjentit 24 tonësh të dërguar enkas si ndihmë për Kosovën, për ta mposhtur COVID-19, nga miku i madh i vendit tonë, Mbreti Abdullah II”.
“Në emër të qeverisë, falënderova popullin dhe shtetin mik të Jordanisë, në veçanti Mbretin Abdullah II, për mbështetjen vëllazërore të ardhur me aeroplan special nga Jordania”, ka thënë zv/kryeministri Tahiri, duke shtuar se “miqtë e mirë dihen në ditë të vështira”.
Sot gjatë ditës, Kosova gjithashtu ka pranuar nga Bashkimi Evropian një donacion për menaxhimin e COVID-19, në vlerë prej rreth 800 mijë eurove.