BALLKANI

Kosovë, qytetarët të ndarë në mendime për ndikimin e liberalizimit të vizave në popullatë dhe ekonomi

Qytetarët mendojnë se liberalizimi i vizave në aspektin negativ do ta vazhdojë ikjen e të rinjve nga Kosova ndërsa në aspektin pozitiv do të ndihmojë në vizita të familjarëve në zonën Schengen dhe për biznese dhe turistë

Agim Sulaj  | 20.04.2023 - Përdıtësım : 21.04.2023
Kosovë, qytetarët të ndarë në mendime për ndikimin e liberalizimit të vizave në popullatë dhe ekonomi Foto: Erkin Keçi/AA

Prishtinë

Qytetarët e Republikës së Kosovës shprehen të ndarë në mendimin se çfarë ndikimi do të ketë liberalizimi i vizave për shtetasit e Kosovës kur të hyjë në fuqi, nga 1 janari i vitit 2024.

Qytetarët mendojnë se liberalizimi i vizave në aspektin negativ do ta vazhdojë ikjen e të rinjve nga Kosova ndërsa në aspektin pozitiv do të ndihmojë në vizita të familjarëve në zonën Schengen dhe për biznese dhe turistë.

Alush Shahini nga Prishtina thotë për Anadolu se liberalizimi i vizave për Kosovën do të ndikojë në mënyrë negative.

Ai thotë se nëse liberalizimi i vizave do të bëhej më herët, do të kishte vlerë, ndërsa tani kur një pjesë e madhe kanë migruar, nuk ka shumë vlerë.

"Ti po e krijon një fryt. Po e rrit një djalë të ri, po e shkollon, po i jep mundësi ta kryejë universitetin dhe po e bën një 'prodhim final' ndërsa Perëndimi po e merr nga ne prodhimin final të gatshëm pa bërë kurrfarë investimi në të dhe po e shfrytëzon logjikën e tij, arsimimin, diturinë", thekson Shahini.

Sara Berisha thotë se ata të cilët kanë pasur qëllim të migrojnë jashtë Kosovës vetëm se tani kanë migruar, kështu që liberalizimi i vizave nuk do të ndikojë në migrimin e mëtutjeshëm të qytetarëve.

Ajo thotë se liberalizimi do të ndikojë pozitivisht tek disa kategori të qytetarëve.

"Shpresoj se do të bëhet më lehtë që qytetarët të dalin jashtë dhe të udhëtojnë. Nënat të dalin t'i shohin fëmijët e tyre që janë jashtë, për bizneset do të jetë më lehtë dhe për ata që janë të interesuar të shohin kultura të reja do të jetë më e lehtë si dhe më nuk do të ketë shpenzime për termine në ambasada dhe gjëra të tilla", thekson Berisha.

Shaip Hajrizi thotë se liberalizimin e vizave gjithë populli i Kosovës e ka pritur me padurim, për shkak se vetëm Kosova nga gjithë vendet evropiane ka ende regjim të vizave.

Por, në aspektin e ndikimit të liberalizimit, sidomos tek rinia kosovare, ai thotë se do të ndikojë negativisht, ngase çdo i ri vizitor në vendet e Bashkimit Evropian (BE) do të mundohet ta bëjë vendin në këto vende dhe të mos kthehet më në Kosovë.

"Për rini, dikush liberalizimit do t'ia sheh hajrin por për Kosovën do të jetë negative dhe Qeveria duhet të ketë projekte dhe strategji të mundohet ta ndalë rininë këtu. Rinia të mos dalin jashtë, por ta kenë një punësim këtu, një rrogë të dinjitetshme dhe nëse ndodh kjo askush nuk do të ikte nga këtu prej të mirave që ka", thotë Hajrizi.

"Mundësia që njerëzit të lëvizin lirshëm pa kufizime kufitare nuk mund të ndikojë në zbrazjen e popullatës"

Eksperti i çështjeve ndërkombëtare, Afrim Mazreku, në një prononcim për Anadolu thotë se liberalizimi i vizave do të ndikojë pozitivisht në ekonominë e vendit.

Përpos bashkëpunimit të bizneseve nga sektorë të ndryshëm, profesori thotë se në një periudhë afatmesme liberalizimi do të mund të ndikojë në kthimin e shumë njerëzve nga vendet tjera të Schengenit për t'u kthyer në Kosovë, sepse Kosova ndoshta edhe mund të ofrojë kushte më të mira për sektorë të caktuar ekonomik.

"Liberalizimi i vizave do të ndikojë shumë pozitivisht në krijimin e mundësive të reja të krijimit të kontakteve për partneritet dhe bashkëpunim ekonomik me shumë ndërmarrje jashtë Kosovës të cilat do të kenë interes ta sjellin kapitalin e tyre në Kosovë. Një potencial jashtëzakonisht i madh dhe i paeksploruar i shqiptarëve është diaspora që ka treguar kapacitete mjaft të mira dhe të suksesshme ndërmarrësie në vendet ku ato veprojnë, kryesisht në Gjermani. Prandaj, nëse sektori privat përdor kushtimisht instrumentet e diasporës për ta mbështetur sektorin privat aktual në Kosovë atëherë mendoj se kjo do të jetë e kundërta e asaj çka ne i frikësohemi: që liberalizimi i vizave mund të ndikojë në zbrazjen e popullsisë së Kosovës", thekson Mazreku.

Në këtë aspekt, ai thotë se Kosova ofron mundësi të jashtëzakonshme dhe të pakufizuara të zhvillimit të sektorit të energjisë ngase njihet si vendi i tretë me rezervat më të mëdha të qymyrit që përdoret si bazë për prodhimin e energjisë.

Ai thotë se nga Kosova nuk mund të parandalohet ikja e personave që kanë "profesione deficitare" si mjekët dhe infermierët ngase kjo kategori do të gjejë mënyrë gjithmonë për të migruar në vendet ku e shohin më të rëndësishëm zhvillimin e karrierës së tyre.

"Mundësia që njerëzit të lëvizin lirshëm pa kufizime kufitare nuk mund të ndikojë në zbrazjen e popullatës. Profesionet deficitare, ato në një formë ose tjetrën do ta gjejnë mënyrën e tyre të integrimit në tregjet e punës ku njerëzit e shohin më të rëndësishëm kontekstin e zhvillimit të karrierës së tyre", thekson Mazreku.

Duke folur për atë se çfarë duhet të ndërmarrë Qeveria e Kosovës në stabilizimin e ekonomisë në këtë aspekt ai thotë se duhet të ndihmohet më shumë sektori privat në vend, ai i cili e zhvillon ekonominë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë muajit mars të vitit 2023 në një intervistë për një televizion kosovar tha se është e vështirë "që përnjëherë të zvogëlohet migrimi i popullsisë deri në masën që punësimi të jetë më i madh se ai".

Qeveria e Kosovës ende nuk ka bërë ndonjë strategji konkrete për parandalimin e migrimit të qytetarëve nga vendi.

Kosovarët nga 1 janari i vitit 2024 mund të udhëtojnë pa viza në zonën Schengen

Kujtojmë se Parlamenti Evropian (PE) të martën miratoi vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës si hap i fundit në këtë proces.

Me këtë vendim, pritjes së gjatë të qytetarëve të Kosovës i vjen fundi dhe konkretisht ata do të mund të udhëtojnë pa viza në zonën Schengen nga 1 janari i vitit 2024.

Miratimi i këtij vendimi në PE u bë pa votim, pasi nuk kishte asnjë kundërshtim.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın