BALLKANI, Koronavirusi

Kosovë, më 18 maj hyn në fuqi faza e dytë e lehtësimit të masave kundër COVID-19

Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka bërë të ditur se qytetarët do të mund të lëvizin për 1 orë më shumë, gjithsej 4 orë në ditë

Agim Sulaj  | 15.05.2020 - Përdıtësım : 15.05.2020
Kosovë, më 18 maj hyn në fuqi faza e dytë e lehtësimit të masave kundër COVID-19

Kosova

Kosova më 18 maj hyn në fazën e dytë të lehtësimit të masave kundër koronavirusit të ri (COVID-19), raporton Anadolu Agency (AA).

Këtë e bëri të ditur Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë të përbashkët me ministrin në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia.

Bazuar në rekomandimin e autoriteteve shëndetësore, kalimi në fazën e dytë të lehtësimit të masave kundër COVID-19 mund të vazhdojë sipas planifikimit, u tha në konferencën e përbashkët.

Kurti tha se ky kalim në fazën e re është një test dhe një sfidë e madhe.

"Faza e dytë nënkupton hapje edhe më të madhe të ekonomisë dhe rrjedhimisht edhe lëvizje të shtuar të qytetarëve, e që nënkupton edhe mundësi më të madhe të infektimit. Prandaj duhet ta shtojmë dyfish kujdesin", theksoi Kurti.

Faza e dytë që sipas planit të Ministrisë së Shëndetësisë duhet të fillojë nga e hëna, 18 maj, parashihet të rihapen floktarët dhe sallonet e bukurisë, stomatologët dhe fizioterapeutët, tregtarët me pakicë dhe tregjet e gjelbërta, restorantet dhe kafenetë me sistemin e sportelit, transporti hekurudhor, transporti urban dhe ndërurban me leje të veçanta, qendrat e thirrjeve telefonike me lista të stafit esencial si dhe hapja e galerive dhe muzeve.

Kurti tha se qytetarët do të vazhdojnë të dalin dy herë në ditë, nga 2 orë, sipas shifrës së parafundit në numrin e kartës së identitetit.

Sipas tij, bashkë me kalimin në fazën e dytë lehtësuese, nga e hëna do të ketë një plan mobiliteti me më shumë policë, me më shumë vullnetarë e më shumë inspektorë në terren.

Ai tha se deri më 25 maj do të përcillet me kujdes lakorja e të infektuarve, ndërsa nëse do të rritet numri i të infektuarve, "atëherë duhet të kthehemi prapa dhe kjo do të ishte vërtetë zhgënjyese pas këtij suksesi që kemi bërë".

"Shumë më i rëndë do të ishte rikthimi sesa vetë ardhja e pandemisë COVID-19", theksoi Kurti.

Në Kosovë deri më tani nga koronavirusi janë infektuar 945 persona, nga të cilët 690 janë shëruar dhe 29 kanë vdekur.

Faza e parë e lehtësimit të masave kundër koronavirusit në Kosovë filloi më 4 maj. Ndërsa faza e dytë do të fillojë nga 18 maji dhe parashihet të zgjasë deri më 1 qershor.

Faza e tretë dhe e fundit nga këto masa lehtësuese që parashihet të zbatohet, do të fillojë më 2 qershor deri në një vendim të radhës dhe do të përfshijë hapjen e transportit urban dhe ndërurban, taksitë, restoranet dhe kafenetë, provimet ne arsimin e lartë, testin e maturës dhe arritshmërisë, hapjen e kinemave, hapjen e teatrove, si dhe hapjen selektive të aktiviteteve sportive.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın