BALLKANI

Kosovë, dy urat e reja mbi Lumin "Ibër" drejt përfundimit

Zëvendësministri në detyrë i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka njoftuar se ka nisur shtrimi i asfaltit në njërën prej urave dhe rrugët që e lidhin urën në të dyja anët

Agim Sulaj  | 25.08.2025 - Përdıtësım : 25.08.2025
Kosovë, dy urat e reja mbi Lumin "Ibër" drejt përfundimit Foto: Hysen Durmishi / Facebook

Prishtinë

Dy urat e reja mbi Lumin "Ibër" që lidhin jugun e qytetit të Mitrovicës me pjesën veriore të këtij qyteti po shkojnë drejt finalizimit të ndërtimit, transmeton Anadolu.

Dy urat, gurthemeli i të cilave u vendos më 1 korrik të këtij viti, janë paralajmëruar se do të hapen në shtator.

Së fundmi, zëvendësministri në detyrë i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka njoftuar se ka nisur shtrimi i asfaltit në njërën prej urave dhe rrugët që e lidhin urën në të dyja anët.

"Vetëm 54 ditë prej kur filluam. Sot po shtrohet asfalti në urë dhe rrugët që e lidhin urën në jug e veri të Ibrit", ka shkruar Durmishi në rrjetin social Facebook derisa ka postuar foto nga vendi.

Dy urat, njëra për këmbësorë dhe njëra për automjete, janë të vendosura në afërsi prej disa qindra metrash nga ura kryesore mbi Ibër, aty ku qëndron KFOR-i Italian.

Në vendosjen e gurthemelit të këtyre urave më 1 korrik 2025 mori pjesë edhe kryeministri në detyrë Albin Kurti.

Kurti tha se mbi Lumin "Ibër" gjithsej janë 77 ura, në tre shtete: Malin e Zi, Republikën e Kosovës dhe në Serbi, prej tyre 35 janë në Kosovë, ndërsa urat e reja do ta bëjnë 37 numrin e urave mbi Lumin "Ibër" në territorin e Kosovës.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın