BALLKANI

Kosovë, balotazhi pritet të jetë përcaktues i fituesve të zgjedhjeve lokale në shumicën e komunave

KQZ-ja tashmë ka numëruar votat e rregullta pothuajse në të gjitha komunat dhe ka publikuar rezultatet preliminare, por në vijim do t’i numërojë edhe votat me kusht dhe ato me postë

Agim Sulaj  | 18.10.2021 - Përdıtësım : 19.10.2021
Kosovë, balotazhi pritet të jetë përcaktues i fituesve të zgjedhjeve lokale në shumicën e komunave Foto: Erkin Keçi / AA

Prishtinë

Raundi i dytë do të jetë përcaktues se kush do t’i fitojë zgjedhjet e rregullta të 17 tetorit në shumicën e qendrave të mëdha të Kosovës, transmeton Anadolu Agency (AA).

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tashmë ka numëruar votat e rregullta pothuajse në të gjitha komunat dhe ka publikuar rezultatet preliminare, por në vijim do t’i numërojë edhe votat me kusht dhe ato me postë.

Në kryeqytetin kosovar, Prishtinë, në raundin e dytë apo në balotazh do të përballen Lëvizja Vetëvendosje (LVV) e cila nga rezultatet preliminare ka 42,26 për qind të votave dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e cila ka 29,34 për qind të votave të përgjithshme.

Gjithashtu, balotazhi do të jetë përcaktues i fituesit edhe në qytetin e dytë më të madh të Kosovës, në Prizren, ku do të rigarojnë LVV e cila mori 39,72 për qind dhe PDK 31,41 për qind.

Po kështu në qytetin e Gjilanit gara e balotazhit do të jetë ndërmjet LVV-së e cila ka marrë 44,41 për qind të votave dhe LDK-së e cila ka marrë 43,97 për qind.

Në Gjakovë, balotazhi do të jetë ndërmjet Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me 45,96 për qind të votave dhe LVV-së me 37,13 për qind të votave.

Deri më tash, bazuar në rezultatet preliminare, pa balotazh garën e ka fituar LDK-ja në Pejë me 60,58 për qind të votave.

Po kështu, PDK e ka fituar qytetin e Ferizajt me 62,57 për qind pa balotazh si dhe Komunën e Mitrovicës së Jugut me 53,98 për qind.

LDK pa balotazh ka fituar nga qendrat e vogla edhe Komunën e Lipjanit me 56,45 për qind.

PDK nga komunat e vogla pa balotazh e ka fituar Komunën e Skenderajt me 58,42 për qind dhe Komunën e Hanit të Elezit me 50,98 për qind.

AAK ndërkaq, nga komunat e vogla, pa balotazh e ka fituar Komunën e Suharekës me 52,28 për qind dhe Komunën e Deçanit, me 65,17 për qind.

Lista Serbe ka fituar pa balotazh më së shumti komuna. Në Leposaviq Lista Serbe ka marrë 98,43 për qind të votave, në Novobërdë 64,09 për qind të votave, në Shtërpcë 59,36 për qind, në Mitrovicë të Veriut 91,33 për qind, në Zubin Potok 83,49 për qind, në Zveçan 98,45 për qind, në Graçanicë 77,71 për qind, në Partesh 75,20 për qind dhe Ranillug 100 për qind.

Raundi i dytë i votimeve pritet të mbahet pas katër javësh, më 14 nëntor.

Komisioni Qendror i Zgjedhje (KQZ) ka njoftuar dje se deri në orën 19:00 pjesëmarrja në votime në kuadër të Zgjedhjeve Lokale 2021 në Kosovë ka qenë 43,13 për qind apo rreth 770 mijë votues.

Këto zgjedhje për kryetarë të 38 komunave janë të pestat me radhë ndërsa për anëtarët e Kuvendeve Komunale janë të shtatat me radhë, që nga mbajtja e parë e tyre në periudhën e pasluftës në Kosovë, në vitin 2000.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.