BALLKANI, Koronavirusi

Kosovë, arrijnë 38.400 doza të vaksinës kundër COVID-19

Me kontingjentin e pranuar sot, numri total i vaksinave të siguruara nëpërmjet Aleancës COVAX arrin në 62.400

Agim Sulaj   | 12.05.2021
Kosovë, arrijnë 38.400 doza të vaksinës kundër COVID-19 Foto: Qeveria e Kosovës/AA

Prishtinë

Ka arritur kontingjenti prej 38.400 dozash të vaksinës kundër COVID-19 në Kosovë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç njofton Zyra e Kryeministrit, në aeroportin “Adem Jashari”, kontingjenti i ri në kuadër të aleancës COVAX u pranua nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Tomas Szunyog, drejtori i UNICEF-it, Murat Sahin dhe ambasadorë të vendeve të BE-së.

Kryeministri Kurti i falënderoi shtetet e QUINT-it dhe organizatat e tjera për ndihmën e vazhdueshme në ballafaqimin e Kosovës me pandeminë COVID-19.

Përfaqësuesit diplomatikë dhe ata të organizatave ndërkombëtare në Kosovë premtuan se do të vazhdojnë të ndihmojnë Republikën e Kosovës në këtë përpjekje të përbashkët.

Me kontingjentin e pranuar sot, numri total i vaksinave të siguruara nëpërmjet Aleancës COVAX arrin në 62.400. Ndërkohë, Qeveria e Republikës së Kosovës ka deklaruar se mbetet e përkushtuar në sigurimin e sa më shumë vaksinave nëpërmjet sa më shumë kanaleve deri në përmbushjen e synimit që brenda viti të imunizohet 60 për qind e popullatës.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın