Familja Filev nga Ohri përcjell sekretin e prodhimit të perlave nëpër katër breza
Pavel Filev, brezi i tretë i familjes Filev, e cila është përfshirë në prodhimin e perlave për katër breza, ndau për Anadolu procesin e prodhimit të perlave në familjen e tij

Ohër
OHËR (AA) - XHIHAT ALIJU - Familja Filev nga Ohri, e cila ka prodhuar perla për gati një shekull, po përcjell procesin sekret të prodhimit të perlave nëpër katër breza.
Vitet e fundit, kur flitet për turizmin në Ballkan, qyteti i Ohrit ka tërhequr vëmendjen edhe me perlat e prodhuara nga liqeni i qytetit.
Qyteti është i njohur jo vetëm për bukurinë e tij natyrore, por edhe si një vend ku turistët vijnë për të blerë perla.
- Perlat prodhohen me një lëng të marrë nga peshku i llojit cironkë (pllashica) që jeton në Liqenin e Ohrit
Pavel Filev, brezi i tretë i familjes Filev, e cila është përfshirë në prodhimin e perlave për katër breza, ndau për Anadolu procesin e prodhimit të perlave në familjen e tij.
Ai vuri në dukje se familja e tij filloi të prodhonte perla në vitet 1920 dhe historia e këtij zanati filloi kur një imigrant rus, Jovan Subanoviq, u zhvendos në Ohër pas Revolucionit të Tetorit në Rusi.
"Jovo Subanoviq, i cili përfundoi në bregun e Liqenit të Ohrit, duke ecur përgjatë bregut, u përshtat me jetën në Ohër. Ai pa shumë ngjashmëri nga historia e tij, me të cilën u mor para se të vinte në Ohër. Ai e kuptoi se ky ishte një variant i mundshëm që do të kryhej edhe në Ohër", tha Filev duke folur për historinë e prodhimit të perlave të familjes së tij.
Subanoviq vuri re se perlat mund të prodhohen nga peshku i llojit cironkë (pllashica), i cili mund të rritet deri në 14-15 centimetra dhe gjendet në Liqenin e Ohrit. Ai ia zbuloi këtë proces sekret familjes Filev si mirënjohje për ndihmën që ia kishin dhënë.
- "Perlat tona nuk janë si prodhimi i guaskave"
Filev tha se teknika e prodhimit të perlave është një sekret familjar dhe se askush nuk lejohet të hyjë në punishtet e tyre.
"Perlat tona nuk janë si prodhimi i guaskave. Në shkollën e perlave ekziston një terminologji 'inside of the shell, outside of the shell' (brenda guaskës, jashtë guaskës). Pra, brenda guaskës dhe jashtë saj. Perlat tona janë nga jashtë guaskës, kështu që ne i prodhojmë ato në një mënyrë që nuk përdorim teknologjinë e japonezëve e kështu me radhë", thotë Filev.
Ai theksoi se ka shumë lloje perlash në botë, por perlat e Ohrit janë të veçanta sepse prodhohen nga material unik për Liqenin e Ohrit dhe nuk mund të sillen nga diku tjetër, gjë që e bën perlën e Ohrit endemike. Për shkak të kësaj, shpjegon ai, perlat nuk mund të prodhohen masovikisht dhe kjo është arsyeja pse perlat janë shumë të veçanta.
Filev shtoi se perlat prodhohen duke përdorur një lëng të nxjerrë nga luspat e cironkës, një peshk që jeton në Liqenin e Ohrit.
- Mbreti suedez Gustav dhe gruaja e tij, Mbretëresha Silvia, përdorin perla nga familja Filev
Ai kujtoi se zanati i tyre filloi të ekzistonte vërtet pas viteve 1960 kur Ohri u bë destinacion turistik dhe në vitin 1978, Mbreti suedez Gustav dhe gruaja e tij, Mbretëresha Silvia, i vizituan dhe morën perla prej tyre.
Filev përmendi gjithashtu se shumë personalitete të njohura, si Jovanka Broz, gruaja e udhëheqësit të ish-Jugosllavisë, Josip Broz Tito, Mbretëresha britanike Elizabeth II dhe biznesmeni meksikan Carlos Slim, kanë marrë perla të prodhuara prej tyre.
Me më shumë se gjysmë shekulli përvojë në këtë zanat, Filev thotë se zanatin që trashëgoi nga gjyshi i tij Nikolla dhe babai Mihael ua kaloi fëmijëve të tij Marija dhe Dimitrija, me qëllim që të ruajnë sekretin familjar dhe t'ua transmetojnë brezave të ardhshëm.
- Teknika për dallimin e perlave të vërteta nga ato të rreme
Filev theksoi se ka shumë mënyra për të dalluar një perlë të vërtetë nga një e rreme.
"Ne kemi disa metoda bazë për diagnostikim, kështu që nuk ka të bëjë me peshën. Disa mendojnë se duhet të përcaktohet nga pesha e gjerdanit, nga ftohtësia e objektit që prekin mbi fytyrën e tyre. Këto janë metoda që mund të përdoren, por jo në rastin tonë. Ne kemi një sistem shumë të thjeshtë, të paktën për një fillestar për ta kuptuar. Merr gjerdanin dhe e mban lart ndaj dritës, drita shkëlqen nga ana tjetër", thotë Filev, duke shtuar:
"Çdo perlë ka dy anë të shndritshme dhe dy të errëta. Pra, duke e rrotulluar 45 gradë nga errësira, papritmas shfaqet një anë e ndritshme. Kjo është një nga shenjat e mëdha për të qenë në gjendje të njohësh perlat".
Ai tha se nëse çmimi i perlës është shumë i ulët, kjo mund të jetë një shenjë se është e rreme dhe se vitet e fundit shumë turistë turq kanë blerë perla prej tyre.