Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, zgjidhet kryetare e Kuvendit të Kosovës
Nga 67 deputetë sa ishin të pranishëm në sallën e Kuvendit të Kosovës, me 65 vota për u zgjodh udhëheqësja e re e Kuvendit të Kosovës

Prishtinë
Deputetët e Kuvendit të Kosovës pas zgjedhjes së qeverisë së re kanë votuar edhe për pozitën e kryetarit të ri të Kuvendit të Kosovës, ku është zgjedhur deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Vjosa Osmani, transmeton Anadolu Agency (AA).
Nga 67 deputetë sa ishin të pranishëm në sallën e Kuvendit të Kosovës, me 65 vota për u zgjodh udhëheqësja e re e Kuvendit të Kosovës.
Seanca e jashtëzakonshme u mbajt me kërkesë të 42 deputetëve për thirrjen e seancës, pasi Kuvendi i Kosovës zgjodhi qeverinë e re.
Deputetja e Vetëvendosjes, Fatmire Mulhaxha Kollçaku, propozoi Osmanin për kryetare të re të Kuvendit, pikërisht në ditën kur në këtë pozitë ishte Glauk Konjufca nga Vetëvendosje (VV), i cili u dorëhoq nga kjo pozitë për t’i hapur rrugë marrëveshjes me LDK-në për bashkëqeverisje.
Pas përzgjedhjes së saj si kryetare e re e Kuvendit të Kosovës, Osmani iu drejtua deputetëve të Kuvendit me një fjalë rasti.
Osmani falënderoi qytetarët e Kosovës “që asnjëherë nuk reshtën së besuari që votat e tyre do ta sjellin ndryshimin”. Ajo gjithashtu tha se dëshiron një Kuvend që të jetë mbikëqyrës i Qeverisë së Kosovës.
“Të jemi një Kuvend që do të mbikëqyr mirë dhe rreptë Qeverinë e Kosovës. Gjatë këtij mandati do t’ia kthejmë dinjitetin Kuvendit të Kosovës dhe po e shoh edhe kualitetin e grupeve parlamentare”, u shpreh Osmani.
Sot në Kuvendin e Kosovës, para zgjedhjes së Osmanit, koalicioni qeverisës VV-LDK me mbështetje të deputetëve nga minoritetet e Kosovës u votua me 66 vota për, asnjë kundër dhe 10 abstenime, nga gjithsej 120 deputetë sa ka Kuvendi.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.