BALLKANI, Koronavirusi

COVID-19, kufizimet e lëvizjes në Maqedoninë e Veriut, Shqipëri dhe Kosovë

Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Kosova kanë ndërmarrë vendime të ndryshme për të kufizuar lëvizjen e qytetarëve, duke përfshirë orare të ndryshme për grupmosha të caktuara apo edhe leje nga autoritetet për vetëm një pjesëtar të familjes

Abdula Berisha, Fatjon Cuka, Zylfije Adem Jakupi  | 03.04.2020 - Përdıtësım : 04.04.2020
COVID-19, kufizimet e lëvizjes në Maqedoninë e Veriut, Shqipëri dhe Kosovë

Shkup/Tiranë/Prishtinë

Në kuadër të masave për të luftuar përhapjen e koronavirusit të ri (COVID-19), institucionet e Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Kosovës zbatojnë orë policore duke kufizuar lëvizjen e qytetarëve, raporton Anadolu Agency (AA).

Orë policore në gjithë territorin e Maqedonisë së Veriut për të gjithë qytetarët zbatohet nga ora 21:00 deri në ora 05:00 ditën e nesërme.

Gjatë ditëve të fundjavës, ndalesa për lëvizje për të gjithë qytetarët zbatohet nga ora 16:00 deri në ora 05:00.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka vendosur kufizime edhe për grupmosha të caktuara. Kështu, është ndaluar lëvizja e personave deri në 18 vjeç nga ora 21:00 deri në ora 12:00 ditën e nesërme. Kjo nënkupton që personat më të rinj se 18 vjeç mund të lëvizin vetën nga ora 12:00 në mesditë deri në ora 21:00.

Personave më të moshuar se 67 vjeç u ndalohet lëvizja nga ora 11:00 deri në ora 05:00 ditën e nesërme. Kështu, të moshuarit kanë të drejtë të dalin nga shtëpia vetëm në intervalin mes orës 05:00 në mëngjes deri në ora 11:00 paradite.

Në një njoftim të fundit nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut, thuhet se është vendosur orë e veçantë policore për Komunën e Kumanovës. Këtu përfshihet ndalesa e lëvizjes gjatë gjithë vikendit, duka filluar nga sonte (e premte) në ora 21:00 deri të hënën në ora 05:00 të mëngjesit.

Qeveria gjithashtu ka vendosur që në Komunën e Kumanovës, ndalesa për lëvizje për të gjithë qytetarët nga ora 16:00 deri në ora 05:00 të vlejë çdo ditë.

Në Maqedoninë e Veriut gjithashtu është shpallur gjendje emergjente në komunat Dibër dhe Qendër Zhupë, ku janë ndaluar hyrjet dhe daljet.

Shqipëri

Mes masave të shumta, duke përfshirë edhe pezullimin e transportit urban dhe qarkullimit të automjeteve private, institucionet në Shqipëri gjithashtu kanë vendosur edhe kufizimin e lëvizjes së qytetarëve.

Gjatë javës nga e hëna e deri të premten është e kufizuar lëvizja e qytetarëve, me përjashtim të një pjesëtari të familjes i cili me anë të lejes nga autoritetet mund të lëvizë nga banesa me arsye të ndryshme.

Autorizimi për të dalë nga banesa përfshin arsyet e blerjes së produkteve ushqimore, ilaçeve apo për arsye të tjera urgjente, ndërsa kohëzgjatja e lejes ditore që mund të përdoret nga ora 05.00-13.00 është një orë.

Njëjtë si fundjavën e kaluar, edhe për këtë fundjavë, është vendosur që të shtunën nga ora 13:00 deri të hënën në orën 05:00, duhet të qëndrojnë të gjithë qytetarët në shtëpi, me përjashtim të punonjësve që kanë autorizime për të shkuar në vendet e punës.

Ndërkohë, për pensionistët është këshilluar qëndrimi në shtëpi, pasi institucionet do të angazhohen për dërgimin e pensioneve në shtëpi dhe ofrimin e shërbimeve të tjera.

Kosovë

Me vendim të Qeverisë së Kosovës nga data 27 mars, është ndaluar lëvizja e qytetarëve në hapësira të hapura nëpër qytete, në përjashtim të banorëve të atyre vendeve dhe personave të autorizuar nga autoritetet kompetente.

Në Kosovë aktualisht është në fuqi ndalesa e lëvizjes së qytetarëve dhe automjeteve private nga ora 17:00 deri në ora 06:00 të mëngjesit.

Kjo masë e ndalimit të lëvizjes sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës mund të jetë e vlefshme vetëm deri më 13 prill, sepse pas shqyrtimit, gjykata e vlerësoi atë si antikushtetuese dhe shkelje të lirive dhe të drejtave themelore të qytetarëve.

Qeveria e Kosovës më 23 mars fillimisht vendosi një kufizim në lëvizjen e qytetarëve dhe automjeteve në dy intervale kohore, nga ora 10:00 deri në ora 16:00 dhe nga ora 20:00 deri në ora 06:00.

Më pas, me kërkesë të Ministrisë së Shëndetësisë, për shkak të bllokimeve të trafikut, qeveria ndryshoi intervalin kohor të ndalimit të lëvizjes, edhe atë nga ora 17:00 deri në ora 06:00 të mëngjesit. Kjo u plotësua me një vendim sipas së cilit më shumë se dy persona nuk mund të lëvizin në rrugë dhe gjithmonë duke mbajtur një distancë prej dy metrash nga të tjerët.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.