Begaj: OKB-ja ka njohur angazhimin e Shqipërisë për të promovuar barazinë gjinore dhe përfshirjen sociale
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka marrë pjesë në Samitin e Dytë Botëror për Zhvillimin Social të OKB-së në Doha të Katarit
Tiranë
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka deklaruar se Kombet e Bashkuara (OKB) kanë njohur angazhimin e fortë të Shqipërisë për të promovuar barazinë gjinore dhe përfshirjen sociale, sipas tij, si pjesë e strategjisë së mbrojtjes sociale, transmeton Anadolu.
Presidenti Begaj ka marrë pjesë në Samitin e Dytë Botëror për Zhvillimin Social të OKB-së në Doha të Katarit.
"Samiti Botëror Social në Doha është një mundësi që vendi ynë të riafirmojë përkushtimin ndaj drejtësisë sociale dhe zhvillimit të qëndrueshëm, të thellojë partneritetet ndërkombëtare dhe të promovojë reformat dhe arritjet në fushën e gjithëpërfshirjes sociale", është shprehur Begaj, sipas njoftimit nga Presidenca e Shqipërisë.
Duke e cilësuar Samitin e Dohas si një thirrje për veprim për një epokë të re drejtësie sociale dhe solidariteti, sipas njoftimit, Begaj theksoi gjatë fjalës së tij se Shqipëria, si një vend në ecuri dinamike drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, e vlerëson atë si platformë të rëndësishmepër të përafruar politikat sociale kombëtare me standardet ndërkombëtare.
"Ne kemi reformuar sistemet tona të shëndetësisë, arsimit, punësimit dhe mirëqenies për të siguruar akses dhe drejtësi për të gjithë. Digjitalizimi i shërbimeve publike i ka bërë institucionet shtetërore më transparente dhe të arritshme për qytetarët tanë", është shprehur Begaj.
Begaj ka shtuar se duhet të punojnë bashkërisht për ta shndërruar këtë samit në një pikë kthese, sipas tij, për të vendosur njerëzimin në zemër të zhvillimit.
"Ne e dimë se përparimi nuk duhet kurrë të merret i mirëqenë. Ndërsa përballemi me tranzicionet digjitale, demografike dhe mjedisore, sistemet e mbrojtjes sociale duhet të zhvillohen dhe përshtaten me realitetet e reja. Zhvillimi social sot nuk mund të ndahet nga tranzicionet e mëdha të kohës sonë, siç janë ato digjitale, demografike dhe mjedisore. Duhet të kapërcejmë hendekun digjital, të fuqizojmë komunitetet rurale dhe të bëjmë sistemet sociale të qëndrueshme përballë ndikimeve të klimës", ka theksuar Begaj.
Sipas Presidencës së Shqipërisë, ky samit mblodhi udhëheqësit botërorë me synimin e veprimit dhe përmbushjes së detyrimeve për zhvillimin social dhe shmangien e pabarazisë sociale.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
