Balluku: Shqipëria sot ka një ekonomi të qëndrueshme
Në fokus të ditës së dytë të punimeve të konferencës së ambasadorëve të Shqipërisë nëpër botë ishin diskutimet mbi diplomacinë ekonomike, sipas organizatorëve në funksion të vizionit Shqipëria 2030

Tiranë
Në Tiranë vazhdon konferenca e ambasadorëve të Shqipërisë nëpër botë me temë "Shqipëria 2030: në Evropë, e ndërlidhur me botën", raporton Anadolu.
Në fokus të ditës së dytë të punime të konferencës ishin diskutimet mbi diplomacinë ekonomike, sipas organizatorëve në funksion të vizionit "Shqipëria 2030".
Zv.kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë e Shqipërisë, Belinda Balluku, gjatë fjalës së saj u shpreh se prej vitesh diplomacia ekonomike është kthyer në një kryefjalë të detyrës dhe misionit të ambasadorëve.
"Sot më shumë se kurrë Shqipëria ka nevojë për ju jo vetëm si përfaqësues diplomatikë, por si ambasadorë ekonomikë, si promotorë të një vizioni që shkon përtej kufijve tanë. Diplomacia ekonomike duhet të qëndrojë na bazë të trupës diplomatike shqiptare", tha Balluku.
Balluku theksoi ndër të tjera se Shqipëria sot ka një ekonomi të qëndrueshme. "Shqipëria sot është duke krijuar një ekonomi konkurruese, moderne dhe mbi të gjitha transparente", u shpreh Balluku.
Në konferencën treditore që organizohet nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë marrin pjesë ambasadorë dhe konsuj të përgjithshëm të Shqipërisë nga mbarë bota.
Konferenca zhvillohet në formën e paneleve me pjesëmarrjen e ekspertëve vendas dhe ndërkombëtarë. Diskutimet janë të fokusuara në integrimin evropian të Shqipërisë dhe të rajonit, diplomacinë ekonomike, si edhe në çështjet e sigurisë rajonale e globale.
Sipas autoriteteve shqiptare, kjo konferencë është një pikëtakim i rëndësishëm i shërbimit të jashtëm për të përcaktuar prioritetet, për të adresuar sfidat kryesore dhe për të forcuar shërbimin konsullor për qytetarët shqiptarë.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.