BALLKANI

Avokati i Popullit në Kosovë pranoi rreth 1.700 ankesa nga qytetarët në vitin 2025

Avokati i Popullit, Naim Qelaj tha se rritja e numrit të ankesave nga qytetarët ka qenë i pritshëm për shkak se viti 2025 ka pasur katër fushata zgjedhore

Agim Sulaj  | 23.12.2025 - Përdıtësım : 23.12.2025
Avokati i Popullit në Kosovë pranoi rreth 1.700 ankesa nga qytetarët në vitin 2025 Foto: Erkin Keçi / AA

Prishtinë

Institucioni i Avokatit të Popullit në Kosovë ka pranuar gjithsej 1.669 ankesa nga qytetarët e vendit në vitin 2025, gjë që shënon një rritje në numrin e ankesave, raporton Anadolu.

Avokati i Popullit, Naim Qelaj tha se rritja e numrit të ankesave nga qytetarët ka qenë i pritshëm për shkak se viti 2025 ka pasur katër fushata zgjedhore, përfshirë fushatën e zgjedhjeve lokale dhe atë të balotazhit si dhe dy fushatat e zgjedhjeve nacionale.

Ai tha sa i përket ankesave në bazë të përkatësisë etnike të ankuesve, më shumë ankues ka pasur nga komuniteti serb në Kosovë me 202 ankesa. Sipas tij, këto ankesa lidhen me disa çështje.

"Numri i ankesave të komunitetit serb rritet si pasojë e disa vendimeve që qeveria i ka ndërmarrë në këtë periudhë. Po e përmendi vetëm rastin e verifikimit të adresave me qëllim të dhënies së shtesave për fëmijë. Ka qenë një situatë ku ne kemi pranuar një numër shumë të madh në këtë aspekt", tha Qelaj.

Ai shtoi se qytetarët serbë që shërbimet shëndetësore dhe ato arsimore i marrin nga institucionet serbe e kanë pasur të vështirë verifikimin e adresave të tyre, që më pas të aplikojnë për shtesat për fëmijë.


- Qelaj: Lehtësisht ngrihet dilemë nëse Gjykata Speciale po vepron në përputhje të plotë me standardet

Qelaj i cili këtë vit ka vizituar për herë të dytë Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, e njohur edhe si Gjykata Speciale, tha se ajo që kanë parë atje ka qenë shqetësuese në aspektin e të drejtave të të pandehurve.

Ai thekson se ka hasur në kufizime dhe pengim të punës së tij në takimet që ka pasur me katër të pandehurit: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

"Konsideroj që, fakti që Gjykata Speciale nuk ka monitorim, nuk ka mbikëqyrje, nuk ka raportim tek asnjë institucion i Kosovës dhe askush deri sot nuk ka kërkuar raport nga kjo gjykatë, lehtësisht ngritë dilemë nëse kjo gjykatë po vepron në përputhje të plotë me standardet me të cilat veprojnë gjykatat dhe sistemi i drejtësisë në Republikën e Kosovës", tha Avokati i Popullit.

Një tjetër fakt shqetësues për vitin 2025, Qelaj e përmendi edhe dhunën e ushtruar në institucionet shkollore e cila ka shënuar rritje dhe për të cilën tha se duhet të merren masa urgjente nga institucionet e vendit.

Sa i përket zbatimit të rekomandimeve të Avokatit të Popullit nga autoritetet në Kosovë, gjatë vitit 2025 vetëm 18.4 për qind e rekomandimeve janë zbatuar ndërsa 78 për qind janë në pritje për zbatim dhe pjesa tjetër janë rekomandime pjesërisht të zbatuara apo të pazbatuara.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.