TIKA kryen rinovim dhe dhruon pajisje në shkollën e mesme të arkitekturës dhe ndërtimtarisë në Shkup
TIKA ka pajisur dy klasa të projektimit dhe ka dhuruar kompjuterë të pajisur me aplikacione për nxënësit e arkitekturës dhe ndërtimtarisë në shkollën “Zdravko Cvetkovski”.
Shkup
Sot në Shkup u mbajt ceremoni inaugurimi për projektin e rinovimit dhe pajisjes së klasave mësimore në Shkollën e Mesme Profesionale të Ndërtimit dhe Arkitekturës “Zdravko Cvetkovski”, të zbatuar nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), raporton Anadolu.
Programi i inaugurimit të projektit u mbajt me pjesëmarrjen e kryetarit të TIKA-s, Abdullah Eren, Sekretarit të Parë të Ambasadës dhe Zëvendësshefit të Misionit Anıl Kayalar, drejtuesve të shkollës dhe nxënësve.
Në fjalën e tij, Eren tha se “deri më sot, TIKA ka realizuar më shumë se 1.300 projekte në Maqedoninë e Veriut”.
“Prej tyre, mbi 460 janë projekte arsimore. Përmes këtyre projekteve arsimore kemi kontribuuar për më shumë se 146.000 nxënës”, tha ai.
Duke theksuar se TIKA vepron në Maqedoninë e Veriut prej 20 vitesh, Eren nënvizoi se gjatë kësaj periudhe janë rinovuar dhe pajisur 34 shkolla, ndërsa 14 shkolla janë ndërtuar nga e para.
“Jemi krenarë që në këto 20 vite kemi realizuar 1.300 projekte. Aktualisht po zbatojmë këtu një projekt të rëndësishëm për nxënësit e shkollës së mesme që mësojnë arkitekturë dhe ndërtim. Kemi pajisur dy klasa të projektimit arkitektonik. Gjithashtu, i kemi dhuruar shkollës 45 kompjuterë, të pajisur me aplikacione që do të përdoren posaçërisht nga nxënësit e këtyre profileve”, tha Eren.
Drejtoresha e Shkollës së Mesme Profesionale të Ndërtimit dhe Arkitekturës “Zdravko Cvetkovski”, Jasminka Bosheva, falënderoi për mundësitë e krijuara për nxënësit falë punimeve të realizuara muajt e fundit.