Shqipëri, fillon viti i ri shkollor në institucionet e Fondacionit Turk Maarif
Në institucionet arsimore të sistemit parauniversitar të Fondacionit Turk Maarif, ka fillur viti ri shkollor 2019-2020

Tiranë
Në Shqipëri janë organizuar ceremoni solemne me rastin e hapjes së vitit të ri shkollor 2019-2020, në institucionet arsimore të sistemit parauniversitar të Fondacionit Turk Maarif, raporton Anadolu Agency (AA).
Pjesë e aktivitetit të organizuar në Tiranë për hapjen e vitit të ri shkollor në gjimnazin "New York High School" dhe shkollën 9-vjeçare "New York Basic Education" ishin ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, përfaqësuesja e Fondacionit Turk Maarif, Aşkın Asan, koordinatori i zyrës së Fondacionit Maarif në Shqipëri, Fatih Cankurt, prindër dhe nxënës.
Ambasadori Yörük, në fjalën e tij përshëndetëse duke folur për rritjen e institucioneve arsimore të Fondacionit Turk Maarif në Shqipëri, tha se kjo është diçka konkrete e dëshirës së familjeve shqiptare që ju kanë besuar fëmijët e tyre institucioneve arsimore të Maarif-it.
"Ky emocion kaq i fuqishëm ka ardhur si pasojë e një bashkëpunimi kaq të mirë që kemi midis shkollave tona, midis prindërve dhe midis dy vendeve tona për shekuj me radhë. Shkollat ndërkombëtare Maarif duke filluar që nga viti kur janë krijuar e deri në ditët e sotme janë duke ecur përpara me hapa të sigurt për një të ardhme akoma më të ndritur. Shpresoj që ky vit shkollor të jetë sa më i mbarë për të gjithë ne", theksoi në fjalën e tij ambasadori turk.
- "Lidhja mes Turqisë dhe Shqipërisë është shumë e rëndësishme"
Përfaqësuesja e Fondacionit Maarif, Aşkın Asan, tha se fondacioni është krijuar me qëllim për t’u përhapur në mënyrë ndërkombëtare kudo jashtë Turqisë.
"Ne si Turqi e kemi parë Shqipërinë dhe shqiptarët si një lidhje e fortë prej shekujsh dhe shumë afër zemrës tonë. Lidhja që kemi mes Turqisë dhe Shqipërisë është shumë e rëndësishme. Fondacioni Turk Maarif është krenar për të gjitha lidhjet që ka kudo në botë. Ajo që është e rëndësishme për ne është të përgatisim të gjithë nxënësit tanë në mënyrën më të mirë të mundshme", tha Asan.
Duke iu drejtuar nxënësve, Asan u shpreh se "Ju si nxënës jeni shumë me fat pasi Fondacioni Turk Maarif funksionon më 35 vende të botës dhe kemi përafrisht 300 shkolla dhe 30 mijë nxënës".
Drejtoresha e gjimnazit "New York High School”, Lidra Meidani, theksoi se, "Ceremonia e sotme na bën të ndiejmë edhe njëherë kënaqësinë dhe përgjegjësinë e një fillimi të ri në një rrugë tashmë të ndriçuar nga përvoja dhe sukseset e viteve. Ne jemi të vetëdijshëm se mësimdhënia dhe edukimi shtron gjithmonë detyra të reja. Dëshira jonë për të qenë më të mirët na bën të ecim përpara duke e konsideruar çdo vit të ri shkollor si një shteg të ri drejt synimeve tona”.
Me rastin e fillimit të ri shkollor sot do të inaugurohet edhe gjimnazi "IMSA High School Elbasan", që administrohet nga Fondacioni Turk Maarif.
Fondacioni Turk Maarif administron disa institucione arsimore në Shqipëri, si Universitetin New York Tirana dhe institucionet arsimore të lidhura me të, institucionet arsimore të sistemit parauniversitar, gjimnazin “New York High School” dhe shkollën 9-vjeçare "New York Basic Education" , “IMS Farm Kindergarten Albania” dhe “IMSA High School Elbasan”.
Ndërkohë, sot ka filluar procesi mësimor në të gjitha gjimnazet dhe shkollat 9-vjeçare të Shqipërisë.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.