Shoqata e të Diplomuarve dhe Anëtarëve të Universitetit Ndërkombëtar Ballkanik shënon përvjetorin e parë
Shoqata, e cila bashkon ish-studentët e universitetit që vepron në Shkup, ka organizuar gjatë vitit të parë një sërë aktivitetesh, me qëllim forcimin e bashkëpunimit dhe ndërtimin e një rrjeti aktiv të diplomuarish.
Stamboll
Shoqata e të Diplomuarve dhe Anëtarëve të Universitetit Ndërkombëtar Ballkanik (IBU) në Shkup shënoi njëvjetorin e themelimit të saj, me misionin për të forcuar lidhjet midis ish-studentëve dhe për të ruajtur vlerat dhe vizionin universal dhe shumëkulturor të universitetit, transmeton Anadolu.
Shoqata, e cila bashkon ish-studentët e universitetit që vepron në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, ka organizuar gjatë vitit të parë një sërë aktivitetesh si takime, seminare dhe projekte sociale, me qëllim forcimin e bashkëpunimit dhe ndërtimin e një rrjeti aktiv të diplomuarish.
Një ndër prioritetet ka qenë edhe mentorimi i studentëve të rinj përmes lidhjes me të diplomuarit me përvojë, tha shoqata në një deklaratë.
Ajo theksoi se në periudhën e ardhshme, shoqata synon të zgjerojë rrjetin e saj të ish-studentëve në shkallë globale, të organizojë ngjarje ndërkombëtare dhe të ofrojë mbështetje në karrierë për të diplomuarit e rinj.
Rektori Prof. Dr. Lutfi Sunar, sipas deklaratës, është shprehur se IBU-ja nuk është vetëm një institucion arsimor, por “një familje e madhe” dhe shtëpi ku “miqësitë, kujtimet dhe idealet e përbashkëta lulëzojnë përsëri”.
“Si universitet, ne gjithmonë do ta mbështesim këtë iniciativë të vlefshme dhe do të vazhdojmë të rritemi së bashku”, ka thënë ai.
Ndërkaq, kryetari i Shoqatës, Suleyman Karakus, ka deklaruar se me krijimin e shoqatës vitin e kaluar është plotësuar një nevojë institucionale si për universitetin, ashtu edhe për ish-studentët.
“Jemi përpjekur të zgjerojmë ndikimin e shoqatës sonë përmes aktiviteteve të ndryshme gjatë gjithë vitit”, ka thënë ai, duke shtuar se qëllimi është të forcohet “në nivelin më të lartë komunikimi midis universitetit dhe të diplomuarve”.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
