arsim

Ministri i Arsimit: Kemi pritur rezultat më të mirë të PISA-s për Kosovën

“Ajo se çfarë ne kemi prit është një rezultat më i mirë. Nuk kemi rezultat më të mirë dhe është me pak ndryshime”, tha ministri në detyrë i Arsimit, Shyqyri Bytyqi lidhur me rezultatet e testiti ndërkombëtar PISA

Agim Sulaj  | 03.12.2019 - Përdıtësım : 04.12.2019
Ministri i Arsimit: Kemi pritur rezultat më të mirë të PISA-s për Kosovën Foto: Erkin Keçi/AA

Prishtinë

Ministri në detyrë i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë i Kosovës, Shyqyri Bytyqi, mbajti një konferencë për media duke komentuar rezultatet e testit ndërkombëtar për arsim PISA, raporton Anadolu Agency (AA).

Në rezultatet e publikuara nga Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) të martën në mëngjes, Kosova është radhitur në vendin e 76-të nga gjithsej 78 vendet pjesëmarrëse në testin PISA. Sipas rezultateve të OECD, në lexim, matematikë dhe shkencë, Kosova radhitet në vendin e tretë nga fundi, duke lënë prapa vetëm Republikën Domenikane dhe Filipinet. 

Për këtë gjendje, ministri i Arsimit, Shyqyri Bytyqi, tha se këto “nuk janë rezultatet që kishim dashur t’i shohim sot”. Bytyqi tha se ka përmirësim në matematikë dhe në lexim në krahasim me vitin 2015, por ka rënie në shkencë.

“Ajo se çfarë ne kemi pritur është një rezultat më i mirë. Nuk kemi rezultat më të mirë dhe është me pak ndryshime”, tha Bytyqi.

“Ajo çfarë është pozitive, është në dy pjesë. Në pjesën e matematikës kemi lëvizje pozitive. Kemi disa arritje më të mira se që i kemi pasur në vitin 2015. Po ashtu edhe në pjesën e leximit kemi rritje, pra është rritje pozitive në krahasim me vitin 2015. Ajo që është vërejtur, kemi rënie te shkenca. Pra, te shkenca është parë që kemi pasur një rënie në testin 2018 në krahasim me testin Pisa 2015”, tha Bytyqi, i cili shtoi se sa i përket identifikimit të arsyeve të këtyre rënieve, duhet kohë nga profesionistët që të analizojnë raportet edhe të secilës shkollë pjesëmarrëse dhe në këtë mënyrë do të dilet me rezultate konkrete. 

Bytyqi tha se një mundësi e rënies në pikë në shkencë të Kosovës ka pasur mundësi të jetë testi në mënyrë digjitale për nxënësit. Ai theksoi se në vitin 2021, Kosova do të jetë e përgatitur, pasi të gjithë shtetet do të jenë të obliguara të hyjnë në formë digjitale.

“Për të dalë me rezultate të mira në testin e ardhshëm PISA 2021, duhet të kemi një angazhim të përgjithshëm shoqëror. Pra, nuk mund qoftë një individ, qoftë ministria, qoftë një komunë - sepse ju e dini që komunat e kanë përgjegjësinë e madhe në sistemin parauniversitar - duhet të kemi organizim të mirëfilltë, një analizë gjakftohtë dhe jo të kërkojmë fajtor”, tha Bytyqi, duke theksuar se tani e tutje Kosova do të jetë pjesë edhe e testeve të tjera ndërkombëtare të cilat do të mundësojnë forcimin e saj edhe në testin PISA.

Vendin e parë në test e mban Estonia, e pasuar nga Kanadaja dhe Finlanda. Kosova mori pjesë për herë të dytë në këtë test në vitin 2018, ndërsa në PISA-n e vitit 2015 ishte renditur po ashtu e treta nga fundi në tabelë, atëherë në mesin e 72 shteteve.

Programi për Vlerësim Ndërkombëtar të Nxënësve, i njohur si PISA, mbahet çdo tri vite. PISA u organizua për herë të parë në vitin 2000, kur morën pjesë 43 shtete, ndërsa në vitin 2018 u mbajt cikli i shtatë i këtij testi, ku pjesëmarrës ishin përfaqësues nga 78 shtete, përfshirë Kosovën me 5.370 studentë nga 211 shkolla.

Ky studim mundëson krahasimin ndërkombëtar të vlerësimit të arritjes së nxënësve, vlerëson dijen e lidhur me situata reale, si dhe përgatitjen dhe aftësitë për pjesëmarrje në shoqëri. Kjo matje bëhet në tri disiplina, edhe atë lexim, matematikë dhe shkenca të natyrës.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın