arsim

Fillon regjistrimi në shkollat e mesme të rajonit, interesi më i lartë për gjimnazet

Ngjashëm si vitet e kaluara, edhe këtë vit numri i nxënësve që paraqiten për gjimnazet është shumë më i lartë në krahasim me shkollat e mesme profesionale

Admir Fazlagikj, Zülfiya Yakup, Fatjon Cuka  | 25.06.2019 - Përdıtësım : 26.06.2019
Fillon regjistrimi në shkollat e mesme të rajonit, interesi më i lartë për gjimnazet

Shkup/Tiranë/Prishtinë

Pas përfundimit të vitit shkollor 2018/19 në muajin qershor, kanë filluar edhe regjistrimet në shkollat e mesme për vitin e ardhshëm shkollor.

Sipas të dhënave të mbledhura nga Anadolu Agency (AA) në institucionet kompetente, nxënësit e shkollave të mesme në Maqedoninë e Veriut, Shqipëri dhe Kosovë shfaqin interes më të lartë për gjimnazet krahasuar me shkollat që ofrojnë arsim profesional, ku interesi është dukshëm më i ulët.

- Maqedoni e Veriut

Në konkursin e Ministrisë së Arsimit të Maqedonisë së Veriut për regjistrim në shkollat e mesme janë të lira 35.690 vende, nga të cilat 24.581 janë për mësim në gjuhën maqedonase, 10.123 në gjuhën shqipe, 952 në gjuhën turke dhe 34 në gjuhën serbe.

Në afatin e parë për regjistrim në shkollat e mesme më 17 dhe 18 qershor janë regjistruar 11.860 nxënës nga gjithsej 16.676 sa janë paraqitur. 8.204 nxënës që kanë përfunduar klasën e nëntë akoma nuk janë regjistruar, duke patur parasysh se arsimin fillor e përfunduan 20.030 nxënës.

Sipas Ligjit për Arsim të Mesëm në Republikën e Maqedonisë së Veriut, arsimi i mesëm është obligues nga viti shkollor 2008/2009. Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi, apeloi që ata fëmijë që nuk kanë dorëzuar dokumentet për regjistrim apo që janë refuzuar në afatin e parë, të regjistrohen në afatet vijuese.

Afati i dytë për regjistrim të nxënësve është në 24 dhe 25 qershor, ndërsa rezultatet e regjistrimit dhe vendet e lira do të publikohen më 26 qershor. Afati i tretë për regjistrim zhvillohet më 1 korrik të vitit 2019 ndërsa rezultatet do të shpallen në ditën vijuese.

Ngjashëm si vitet e kaluara, edhe këtë vit numri i nxënësve që paraqiten për gjimnazet është shumë më i lartë në krahasim me shkollat e mesme profesionale. Pikërisht për këtë, Ministria e Arsimit dhe Shkencës kishte disa projekte me qëllim të rritjes së interesimit për regjistrim në shkollat e mesme profesionale.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës e Republikës së Maqedonisë së Veriut paralajmëroi se nga viti shkollor 2019/2020 në të gjitha shkollat e mesme profesionale do të fillojnë të realizohen planet e reja mësimore dhe programet mësimore modulare për arsim profesional me kohëzgjatje katërvjeçare. Me to parashihet mësimi përmes punës në vitin e tretë dhe të katërt si element përbërës i sistemit të arsimimit profesional dhe më shumë mësime praktike dhe trajnime për nxënësit.

Viti shkollor do të fillojë më 2 shtator të vitit 2019 ndërsa përfundon më 10 qershor të vitit 2020.

Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave të Maqedonisë së Veriut, numri i nxënësve në shkollat e mesme nga viti shkollor 2018/2019 është 71.650 nxënës ndërsa numri i nxënësve në shkollat fillore në po të njëjtin vit është 188.102 nxënës.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, vitin e kaluar në vitin e parë në shkollat e mesme janë regjistruar gjithsej 17.364 nxënës.

- Shqipëri

Në Shqipëri procesi i regjistrimit të nxënësve për sistemimin arsimor parauniversitar realizohet në dy javët e para të shtatorit, duke dorëzuar dokumente përkatëse dhe pa pasur nevojën e provimeve specifike për regjistrim, me përjashtim të provimeve kombëtare të përfundimit të shkollës sipas cikleve përkatëse.

Viti i ri shkollor 2019/2020 për sistemin e arsimit parauniveristar fillon më 16 shtator 2019, sipas urdhrit nga institucionet arsimore, ndërsa përfundon në data të ndryshme.

Arsimi bazë në Shqipëri fillon në moshën 6 vjeçare dhe zgjat 9 vjet dhe përbëhet nga dy cikle: arsimi fillor, (klasa 1-5) dhe arsimi i mesëm i ulët, (klasa 6 -9). Ndërsa arsimi i mesëm i lartë nuk është i detyrueshëm. Arsimi i mesëm i lartë në Shqipëri përbëhet nga gjimnazet (me kohë të plotë dhe të shkurtuar), shkollat profesionale, si dhe nga gjimnazet me orientim social-kulturor.

Sipas të dhënave zyrtare nga Instituti i Statistikave të Shqipërisë (INSTAT) për vitin shkollor 2018/2019, në institucionet e arsimit parauniversitar kanë ndjekur procesin mësimor të regjistruar rreth 540 mijë nxënës, ndërsa 32 mijë nxënës ishin për herë të parë në bankat e shkollës.

Pas miratimit të ligjit për mbrojtjen e pakicave kombëtare në 2017, janë shtuar edhe detyrimet e shtetit shqiptar ndaj pakicave pasi sipas këtij ligji, personat, që i përkasin një pakice kombëtare, gëzojnë të drejtën të mësojnë gjuhën e pakicës. Kështu në disa qytete të Shqipërisë ofrohet mësim në disa shkolla në gjuhën maqedonase në Pustec, në gjuhën serbe në Fier, ndërsa për gjuhën rome organizohen kurse dhe trajnime të ndryshme.

- Kosovë

Sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në Kosovë, në vitin shkollor 2018/2019 shkollimin fillor dhe të mesëm e ndjekin më shumë se 356 mijë nxënës.

Çerdhet i vizitojnë rreth 8.000 fëmijë ndërsa në nivelin parashkollor janë rreth 23.700 fëmijë. Arsimin fillor dhe arsimin e mesëm të ulët, nga klasa e parë deri në klasën e nëntë, e ndjekin pothuajse 240 mijë nxënës. Në shkollat e mesme, nga klasa e 10-të deri në klasën e 12-të, arsimin e ndjekin rreth 84 mijë nxënës.

Në klasën e parë në shkollat fillore në vitin shkollor 2018/2019 janë regjistruar rreth 23 mijë fëmijë.

Në vitin e parë në shkollat e mesme në vitin shkollor 2018/2019 janë regjistruar më shumë se 28 mijë nxënës.

Viti shkollor në arsimin fillor, arsimin e mesëm të ulët dhe të mesëm fillon më 1 shtator. Këtë vit procesi mësimor për arsimin e mesëm përfundoi më 21 qershor, derisa klasat e 9-ta, 10-ta dhe 11-ta, mësimin e përfunduan më 7 qershor. Përfundimi i vitit mësimor për maturantët, respektivisht për nxënësit e klasës së 12-të, ishte më 16 maj.

Në Kosovë, sipas plan-programit mësimor të Kosovës, përpos në gjuhën shqipe, mësimi ndiqet edhe në gjuhën turke dhe boshnjake, në komunat ku jetojnë anëtarët e bashkësive etnike përkatëse, përderisa për fëmijët romë organizohen ligjërata fakultative në shkollat fillore.

Ligjërata në gjuhën serbe zhvillohet sipas plan-programit të Republikës së Serbisë në të gjitha mjediset e Kosovës në të cilat jetojnë anëtarët e bashkësive etnike serbe.

Në Kosovë ka gjithsej 1.116 institucione edukativo-arsimore. Ekzistojnë 43 institucione parashkollore, 942 institucione të arsimit fillore dhe arsimit të mesëm të ulët, përderisa numri i shkollave të mesme është 125. Ekzistojnë edhe 6 shkolla speciale.

Afati i parë i regjistrimit në shkollat fillore është në muajin maj, ndërsa i dyti në muajin gusht. Edhe për shkollat e mesme ka dy afate të regjistrimit, i pari është në muajin qershor ndërsa i dyti në muajin gusht.

Pas përfundimit të arsimit të mesëm të ulët, nxënësit në fund të muajit maj testohen në testin e maturës shtetërore, i cili është i domosdoshëm për regjistrim në shkollat e mesme. Pikët për regjistrim në shkollat e mesme fitohen me kombinim të rezultateve nga matura shtetërore me suksesin, respektivisht notat e arsimit fillor dhe arsimit të mesëm të ulët.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.