arsim, BALLKANI

Dy gjimnaziste nga Kosova udhëtojnë çdo ditë me kilometra për të mësuar në turqisht

Köroğlu dhe Bunyaku, të cilat po studiojnë në klasën e 11-të në shkollën e mesme Sami Frashëri në Prishtinë, zgjohen në orën 5:30 çdo mëngjes tash e një vjet e gjysmë për të ndjekur mësimet që fillojnë në orën 8:00

Agim Sulaj, Eren Beksaç  | 03.03.2025 - Përdıtësım : 04.03.2025
Dy gjimnaziste nga Kosova udhëtojnë çdo ditë me kilometra për të mësuar në turqisht Foto: Eren Beksaç/ AA

Prishtinë

Elif Köroğlu dhe Elif Bunyaku, të cilat jetojnë në qytetin e Mitrovicës në veri të Kosovës, udhëtojnë përafërsisht 80 kilometra çdo ditë deri në shkollën e tyre në Prishtinë, pasi në qytetin e tyre nuk ka mundësi për arsimim turk në nivelin e shkollës së mesme.

Köroğlu dhe Bunyaku, të cilat po studiojnë në klasën e 11-të në shkollën e mesme Sami Frashëri në Prishtinë, zgjohen në orën 5:30 çdo mëngjes tash e një vjet e gjysmë për të ndjekur mësimet që fillojnë në orën 8:00.

Nxënëset, të cilat udhëtojnë afërsisht 40 kilometra duke përdorur dy autobusë, mbërrijnë në shkollën ​​e tyre pas një udhëtimi rreth 2 orësh dhe ndjekin të njëjtin proces për t'u kthyer në shtëpi, pasi t’i kenë përfunduar mësimet.

Köroğlu deklaroi për Anadolu se ato kanë më shumë vështirësi për të shkuar në shkollë gjatë muajve të dimrit.

"Përgjithësisht dimrat janë më problematik sepse është shumë herët në mëngjes, është errësirë ​​dhe moti është më i ftohtë", thotë ajo.

Köroğlu tha se dëshira e saj ishte të mësonte në gjuhë turke edhe në shkollën e mesme, pasi kishte mësuar në turqisht në shkollën fillore në Mitrovicë.

"Unë vij nga Mitrovica në Prishtinë çdo ditë vetëm për të mësuar në turqisht. Notat e mia janë shumë të mira, më shpërblehet gjithë ai udhëtim. Por, në të ardhmen mendoj të studioj në Istanbul të Türkiyes, nëse mund të pranohem atje", tha ajo.

Duke theksuar se mësuesit dhe shokët e klasës e mbështetën këtë proces me mirëkuptim, Köroğlu shtoi se pjesën financiare të procesit e siguroi duke punuar në çerdhe pas shkollës dhe me mbështetjen e familjes së saj.

- Dëshiron të studiojë në Türkiye

Bunyaku gjithashtu tha se autobusët lokalë zakonisht janë të stërmbushur me njerëz në mëngjes dhe ato duhet të bëjnë udhë edhe në këmbë.

Ajo thotë se shkollën fillore e ka kryer në gjuhën shqipe në Mitrovicë, por, planet për studime në Türkiye bënë që ajo të kalojë në mësime në gjuhën turke.

"Për një të ardhme më të mirë, në fakt, që të mund të studioj në Türkiye. Në fakt, qëllimi im me ardhjen në Prishtinë është të mësoj në shkollën e mesme në gjuhën turke dhe pastaj të shkoj në Türkiye për të marrë një arsim universitar. Por, ende nuk kam menduar për qytetin apo drejtimin e studimeve", tha ajo.

Duke thënë se është shumë e kënaqur me shkollën dhe mësuesit e saj, Bunyaku shtoi se ka mundur të studiojë falë mbështetjes financiare dhe morale të familjes.

- Mësimi në gjuhën turke filloi në vitin shkollor 1951/52

Në periudhën e ish-Jugosllavisë, me vendimin e marrë në vitin 1951, u vendos që të hapen shkolla ku do të zhvillohet mësim në gjuhën turke për minoritetin turk që jeton në territorin e Kosovës.

Në vitin shkollor 1951-1952 fëmijët filluan të regjistrohen edhe në shkollat ​​fillore dhe ato të mesme për të mësuar turqishten dhe në këtë vit shkollor u hapën shkollat ​​e para fillore turke në qytetet e Prizrenit, Prishtinës, Gjilanit, Mitrovicës dhe Pejës, si dhe në fshatrat Mamushë dhe Dobërçan.

Deri në vitin shkollor 1955-1956, në 12 shkolla fillore tetëvjeçare në 109 paralele ishin 3.558 nxënës dhe 134 mësues.

Mësimi turk në Kosovë vazhdon edhe sot në shkollat ​​e rajonit të Prizrenit, Prishtinës, Mamushës, Vushtrrisë, Gjilanit dhe Dobërçanit.

Përveç kësaj, ka departamente turke në nivelet baçelor dhe master në Universitetin e Prishtinës dhe atë të Prizrenit.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.