Abas Jahja: Me muzikën mistike, shpresojmë të jemi një urë lidhëse mes Perëndimit dhe Orientit
Jahja për AA shpjegoi se një lloj të këtillë të manifestimit e ka pasur ëndërr më parë, që të ekzistojë një orkestër e cila do të jetë një urë ndërmjet Perëndimit dhe Orientit.

TETOVË (AA) – Për nder të muajit të bekuar të Ramazanit, Komuna e Tetovës dhe Myftinia e Tetovës realizuan një numër të madh të aktiviteteve me karakter fetar, humanitar dhe social. Ndër këto aktivitete në axhendën e përbashkët mes Myftinisë së Tetovës dhe Komunës së Tetovës, Koncerti i Bajramit i mbajtur mbrëmë në Pallatin e Kulturës mbylli axhendën e aktiviteteve muajit të Ramazanit. Në koncert u paraqit solisti Abas Jahja bashkë me orkestrën e tij, i cili prezantoi muzikën mistike në gjuhën shqipe.
Sipas solistit hf. Abas Jahja ky koncert bashkon Orientin me Perëndimin. Jahja për Anadolu Agency (AA) shpjegoi se një lloj të këtillë të manifestimit e ka pasur ëndërr më parë, që të ekzistojë një orkestër e cila do të jetë një urë ndërmjet Perëndimit dhe Orientit.“Mendoj se këtë e realizuam. Në të ardhmen do të ketë edhe koncerte të tjera dhe shpresojmë që të jemi një urë në këtë drejtim”, u shpreh ai.
Për realizimin e këtij koncerti, Jahja theksoi se orkestra ishte nga instrumentalistë të dalluar të Universitetit Shtetëror të Tetovës, si dhe instrumentalistë të tjerë. Jahja tha se me këtë orkestër kanë bashkëpunuar edhe më herët, por kjo u bë në një moment karakteristik për këtë koncert, që edhe u dallua mbrëmë.
Jahja duke theksuar se nuk është hera e parë që organizohen këto lloje të koncerteve, shtoi se: “Këto lloje koncertesh i kemi organizuar edhe më herët, por në këtë format me instrumente të cilët janë edhe instrumente evropiane, edhe të orientit sonte i bashkuam. Kjo nuk është një punë e lehtë, për shkak se muzika e Perëndimit dallon nga muzika e Orientit. Ka dallime të mëdha me sistemin muzikor. Ne këtë hyrje e realizuam dhe mendoj se kjo do të vazhdojë edhe në të ardhmen”.
- Muzika mistike është muzikë me rrënjë të thella në histori -
Jahja në vijim të fjalës së tij thotë se muzika mistike është një muzikë me rrënjë të thella në histori. Ai shpjegon se nëse analizohet kjo dukuri do të vërehet se që në ardhjen e osmanlinjve në trojet e Ballkanit muzika mistike automatikisht është zgjeruar, si dhe ka pasur një ndikim të madh në popujt e Ballkanit.
"Nëse flasim për muzikën mistike tek shqiptarët, ajo është shfaqur nëpërmjet tarikateve të ndryshme", thekson Jahja, duke shtuar se në këtë mënyrë muzika mistike është stacionuar tek shqiptarët e Maqedonisë, të cilët në të njëjtën kohë janë marrë edhe me poezi.
Jahja duke veçuar se poezia dhe muzika janë si motër e vëlla, thotë se në këtë drejtim duke u bërë poezi të ndryshme kompozitorët më pas i kanë kompozuar veprat dhe kanë dalë ilahi të bukura. Ai përsëriti se kjo muzikë i ka rrënjët e thella, ndërsa nuk la pa përmendur se edhe Davudi (a.s) suret nga libri i shpallur “Zeburi” i ka lexuar me një muzikë dhe melodi të mrekullueshme, prej të cilës ka pasur një ndikim të madh tek njerëzit. “Njerëzit kur kanë dëgjuar leximin e Davudit (a.s) janë ndikuar dhe pothuajse e kanë pranuar besimin e vërtetë, besimin në monoteizëm apo besimin në një Zot”, shprehet Jahja.
Siç thotë Jahja, pas largimit të osmanlinjve ka një stagnim në këtë drejtim, por me globalizimin e situatës në botë ndikimi i ndërsjellë fillon edhe sot. Jahja ka filluar hapat e para që nga jeta studentore, duke u marrë edhe me anën teorike, por edhe me anën praktike të kësaj muzike, si dhe në këtë drejtim ai ka mësuar edhe instrument karakteristikë të muzikës mistike, instrumentin Nai Sherif.
- Muzika mistike kërkon parapërgatitje të madhe, për shkak se përfshihen forma të ndryshme të muzikës -
Solisti Abas Jahja thotë se muzika mistike kërkon një parapërgatitje muzikore, ndërsa ilahija është shumë më e lehtë, për arsye se siç thotë ai, në muzikën mistike përfshihen shumë forma të muzikës, ndërkohë që ilahija është vetëm një formë e kësaj muzike.
“Prandaj më së tepërmi njerëzit janë koncentruar në ilahi, por nëse e analizojnë muzikën mistike do të shohim se kemi edhe forma të tjera. Kemi një miraxhie, kemi një sauk, kemi një durak, kemi salavate të ndryshme të cilat lexohen makame të ndryshme. Në këtë mënyrë kjo kërkon një parapërgatitje të madhe për këtë muzikë”, shpjegon Jahja.
Jahja thotë se ky është vetëm fillimi i punës së tij, ndërsa në të ardhmen me anë të kësaj muzike do të mundohet të krijojë një lidhje mes Perëndimit dhe Orientit, sepse siç u shpreh ai, muzika e Perëndimit dhe e Orientit në bazë kanë dallime, por nëpërmjet disa tentimeve do të mundohen t’i bashkojnë këto dy lloje të muzikës, të cilat në parim sistemet janë të ndryshme.
“Kur flasim me gjuhën e shpirtit dhe me gjuhën e zemrës, atëherë situatat ndryshojnë. Përpiqemi që të gjejmë një gjuhë të përbashkët dhe në këtë mënyrë t’i bashkojmë instrumentet Orientale me ato Perëndimore. Besoj se në të ardhmen këto përpjekje të cilat tashmë kanë filluar do të kenë një lëvizje më të madhe. Gjeneratave të ardhshme ne duhet t’ua lëmë një kulturë muzikore dhe këtë kulturë muzikore ata do ta zhvillojnë”, deklaroi solisti hf. Abas Jahja.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.