Bota

NATO: Rusia t'i japë fund pozicionimit ushtarak në kufirin me Ukrainën

Pas takimit me kryediplomatin ukrainas, Stoltenberg deklaroi se Rusia ka dërguar mijëra ushtarë të gatshëm për luftime në kufirin ukrainas ditët e fundit dhe se ai po e ndjek këtë situatë me shqetësim

Ömer Tuğrul Çam  | 13.04.2021 - Përdıtësım : 14.04.2021
NATO: Rusia t'i japë fund pozicionimit ushtarak në kufirin me Ukrainën

Bruksel

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se Rusia duhet t’i japë fund menjëherë pozicionimit të saj ushtarak brenda dhe në kufirin e saj me Ukrainën, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba vizitoi selinë e NATO-s në Bruksel dhe u takua me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Stoltenberg.

Duke folur në konferencën për shtyp të mbajtur pas takimit, Stoltenberg deklaroi se Rusia ka dërguar mijëra ushtarë të gatshëm për luftime në kufirin ukrainas ditët e fundit dhe se ai po e ndjek këtë situatë me shqetësim.

Stoltenberg deklaroi se kjo është vendosja më e madhe e trupave ushtarake që nga aneksimi i paligjshëm i Krimesë nga Rusia në vitin 2014 dhe theksoi se shumë ushtarë ukrainas kanë humbur jetën në përplasjet në lindje të Ukrainës në ditët e fundit.

"Vendosja e trupave ushtarake nga ana Rusisë është e paligjshme, e pashpjegueshme dhe thellësisht alarmante. Rusia duhet t’i japë fund menjëherë këtij pozicionimi brenda dhe pranë Ukrainës, t'i japë fund provokimeve dhe të lehtësojë tensionet", tha shefi i NATO-s.

Duke i bërë thirrje Rusisë të respektojë përgjegjësitë e saj ndërkombëtare, Stoltenberg tha se "mbështetja e NATO-s për integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës është e palëkundur".

"Ne nuk do të pranojmë aneksimin e paligjshëm të Krimesë nga Rusia", shtoi ai.

Stoltenberg kërkoi nga Rusia t’i japë fund mbështetjes për forcat pro-ruse në lindje të Ukrainës dhe t’i tërheqë forcat e saj nga territori ukrainas, duke shtuar se NATO-ja do të vazhdojë të jetë në anën e Ukrainës.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın