Zonja e parë turke në 2-vjetorin e gjenocidit në Gaza, bën thirrje për unitet kundër shtypjes
"Një shtet që ka humbur busullën e tij morale po kërkon të shfarosë popullin palestinez para syve të botës", tha Emine Erdoğan

Ankara
Zonja e parë turke Emine Erdoğan shënoi një moment të zymtë, përvjetorin e dytë të gjenocidit të Izraelit në Gaza, duke dënuar Izraelin për përpjekjen për të shfarosur popullin palestinez para syve të të gjithë botës, transmeton Anadolu.
"Një shtet që ka humbur busullën e tij morale po kërkon të shfarosë popullin palestinez para syve të botës", tha Erdoğan në një postim në platformën turke të mediave sociale, NSosyal.
"Megjithatë, sa më shumë rritet mizoria e shtypësit, aq më të fortë ngrihen zërat e zemrave të bashkuara kundër gjenocidit", shtoi ajo. Erdoğan tha se gjatë dy viteve të fundit, Gaza është shndërruar në një varrezë ku u vranë më shumë se 67 mijë njerëz të pafajshëm, përfshirë mbi 20 mijë fëmijë dhe ku ndërgjegjja e njerëzimit u varros e gjallë.
Ajo theksoi se në sulmin e Izraelit, "asnjë vijë e kuqe morale, ligjore, humanitare apo etike nuk mbetet e pakaluar".
Erdoğan tha se vullnetarët po mobilizohen për Gazën nga çdo cep i botës, nga ajri, nga toka dhe nga deti duke iu referuar flotiljeve të fundit të ndihmës mesdhetare në enklavën e rrethuar dhe bëri thirrje që "Çdo person me ndërgjegje t'i bashkohet kësaj lufte dhe të bashkohet si një i vetëm për Palestinën derisa të arrihet një paqe e drejtë dhe e qëndrueshme".
"Përkujtoj me mëshirë vëllezërit dhe motrat tona palestineze të martirizuara në sulmet izraelite dhe i lutem Allahut të Plotfuqishëm t'u japë lehtësim dhe fitore popullit të palëkundur të Palestinës i cili, me durim, vazhdon të qëndrojë i fortë", tha ajo.
Postimi përfshinte gjithashtu një video me fjalimet e kaluara të zonjës së parë turke Emine Erdoğan mbi Gazën dhe pamjet që tregonin shkatërrimin në rajon.