Xhamitë shekullore të Trabzonit, shembuj të pasur të artit të punuar me gurë dhe dru
Xhamia 132-vjeçare Kuşluca, ajo 124-vjeçare Karacakaya dhe Xhamia 221-vjeçare e lagjes Taşçılar, jo vetëm që paraqesin elemente të veçanta arkitekturore, por edhe ofrojnë shembuj të pasur të artit dekorativ prej druri dhe guri.

Trabzon
Xhamitë shekullore prej guri dhe druri në Trabzon, Turqi, janë ndër strukturat më të rëndësishme që kanë mbijetuar deri më sot, ndërsa vlera e tyre historike po ruhet përmes punimeve restauruese, raporton Anadolu.
Xhamia 132-vjeçare Kuşluca, ajo 124-vjeçare Karacakaya dhe Xhamia 221-vjeçare e lagjes Taşçılar, jo vetëm që paraqesin elemente të veçanta arkitekturore, por edhe ofrojnë shembuj të pasur të artit dekorativ prej druri dhe guri.
Xhamia Kuşluca dallohet për strukturën e saj drejtkëndëshe, dyert me dy krahë dhe kupolën tetëkëndëshe në tavan; Xhamia Karacakaya spikat për punimet e saj prej druri; ndërsa Xhamia e lagjes Taşçılar është e njohur për mjeshtërinë e gurit.
Drejtori Rajonal i Fondacioneve të Trabzonit, Reşat Asrak, tha për Anadolu se qyteti krenohet me xhamitë e tij me veçori të jashtëzakonshme arkitekturore.
Asrak deklaroi se po punohet për të ruajtur trashëgiminë e së kaluarës për brezat e ardhshëm, duke theksuar se 199 objekte të trashëgimisë kulturore ndodhen në rajonet Artvin, Rize, Giresun, Gümüşhane dhe Trabzon.
Duke theksuar se shumë prej tyre përfshijnë xhami, tyrbe, hane dhe hamame, Asrak shtoi: “Ne po vazhdojmë përpjekjet tona për të ruajtur dhe restauruar pasuritë kulturore brenda mundësive tona, përmes projekteve të studimit dhe restaurimit, në mënyrë që trashëgimia jonë të përcillet e sigurt te brezat e ardhshëm.”
Ai kujtoi se janë realizuar punime restauruese në monumente të rëndësishme si Xhamia Fatih në Ortahisar dhe Xhamia e Ayasofisë.
Duke nënvizuar rëndësinë e këtyre monumenteve për turizmin fetar, Asrak shtoi: “Ne përpiqemi vazhdimisht t’i restaurojmë ato me besnikëri ndaj gjendjes së tyre origjinale dhe t’i bëjmë të aksesueshme për popullin tonë.”
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.