Turqia zgjeron qeverisjen e teknologjisë me drejtori të reja të inteligjencës artificiale
Ministri turk Kacir ka bërë të ditur se vendi i tij ka ndërmarra hapa të reja për të zgjeruar ekosistemin në sektorin publik
Stamboll
Ministri i Industrisë dhe Teknologjisë, Mehmet Fatih Kacir, ka bërë të ditur se vendi i tij ka ndërmarra hapa të reja për të zgjeruar ekosistemin në sektorin publik, transmeton Anadolu.
Kacir tha se Drejtoria e Përgjithshme e Teknologjisë Kombëtare është riemëruar në kuadër të ministrisë dhe tashmë do të funksionojë si Drejtoria e Përgjithshme e Teknologjisë Kombëtare dhe Inteligjencës Artificiale.
Sipas ministrit turk, drejtoria e riemëruar do të zhvillojë dhe do të zbatojë politika dhe strategji për zgjerimin e infrastrukturës dhe kompjuterizimit të qendrave të të dhënave, do të përcaktojë kritere dhe standarde për qendrat e të dhënave, si dhe do të mbikëqyrë rregulloret për proceset e certifikimit dhe autorizimit.
Drejtoria gjithashtu do të punojë, siç tha ministri, për të siguruar që teknologjitë e inteligjencës artificiale të zhvillohen dhe të përdoren në përputhje me parime etike dhe të besueshme, për të zgjeruar kapacitetet e të dhënave, infrastrukturës dhe fuqisë punëtore, për të mbështetur startup-et dhe aktivitetet kërkimore, për të koordinuar qeverisjen e inteligjencës artificiale në nivel kombëtar, si dhe për të promovuar bashkëpunimin ndërkombëtar.
Ndërkohë, është formuar edhe Drejtoria e Përgjithshme e Inteligjencës Artificiale Publike, që do të veprojë në kuadër të Drejtorisë së Sigurisë Kibernetike të Presidencës, e cila do të udhëheq përdorimin e inteligjencës artificiale në institucionet shtetërore.
Kacir theksoi se njësia e re do të udhëheq punën rregullatore për aplikimet e inteligjencës artificiale në qeveri, do të ndihmojë në harmonizimin e legjislacionit kombëtar me kornizat ndërkombëtare dhe do të përcaktojë parime dhe standarde për qeverisjen e të dhënave që lidhen me qeverisjen digjitale dhe përdorimin e inteligjencës artificiale në sektorin publik.
Drejtoria publike e inteligjencës artificiale, sipas ministrit, gjithashtu do të identifikojë nevojat institucionale, do të krijojë një infrastrukturë të përbashkët të hapësirës së të dhënave dhe do të përcaktojë standarde cilësie për grupet e të dhënave të përdorura në aplikimet e inteligjencës artificiale.
"Me koordinim të fortë ndërmjet aktorëve në sektorin publik, akademi dhe sektorin privat, do të sigurojmë që Turqia të bëhet një nga vendet udhëheqëse në fushën e inteligjencës artificiale", tha Kacir.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
