Turqia, vendi i tretë në botë me më shumë plazhe me flamur blu
Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Mehmet Nuri Ersoy tha se Turqia është vendi i tretë në botë me më shumë plazhe të vlerësuara me flamurin blu këtë vit

Ankara
Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Mehmet Nuri Ersoy tha se Turqia është vendi i tretë në botë me më shumë plazhe të vlerësuara me flamurin blu këtë vit, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë në llogarinë e tij në rrjetet sociale, Ersoy tha "Flamuri blu do të valëvitet me krenari në brigjet e vendit tonë edhe këtë vit. Në vitin 2025 ne u bëmë vendi i 3-të në botë me më shumë plazhe me flamur blu. 577 plazhe, 29 marina, 18 anije turistike, 8 jahte individuale. Antalya jonë kryeson përsëri këtë sukses me 233 plazhe".
Duke përgëzuar të gjithë palët e interesuara, veçanërisht Fondacionin Turk për Edukimin Mjedisor (TÜRÇEV) dhe qytetarët që kontribuan në këtë sukses me ndjeshmërinë e tyre mjedisore, Ersoy theksoi se "Flamuri blu i përshtatet shumë vendit tonë. Urojmë që të sjellë fat të mbarë".
- Antalya nuk hoqi dorë nga lidershipi
Sipas deklaratës së bërë nga Ministria mbi këtë temë, Antalya renditet përsëri e para në listë me 233 plazhe.
Antalya u pasua nga Muğla me 110 plazhe dhe Izmiri me 64 plazhe. Ndërsa Balıkesir me 48 plazhe, Aydın me 39 plazhe, Samsun me 16 plazhe dhe Mersin dhe Çanakkalaja secili me 12 plazhe me flamurin blu.
Edhe qytete të tilla si Ordu, Sakarya, Adana dhe Düzce gjithashtu kontribuan në listë me numrin e tyre të plazheve.
Qytetet me më shumë flamuj në kategorinë e marinave janë Muğla me 10 marina, Antalya me 6 marina dhe Izmiri me 5 marina.
Në kategorinë e anijeve turistike, Antalya ruajti udhëheqjen e saj me 13 anije që valëvitnin flamurin blu.
- 10 flamuj të rinj në numrin e plazheve
Numri i plazheve me flamur blu i cili ishte 567 vitin e kaluar, u rrit në 577 këtë vit. Numri i marinave u rrit gjithashtu nga 27 në 29.
Programi i flamurit blu zbatohet në më shumë se 50 vende dhe në Turqi kryhet nën koordinimin e TÜRÇEV.
Programi, i cili zbatohet në bashkëpunim me Ministritë e Kulturës dhe Turizmit, Mjedisit, Urbanizimit dhe Ndryshimeve Klimatike si dhe të Shëndetësisë në Turqi, merr për bazë përmbushjen e kritereve mjedisore dhe administrative, përkatësish 33 për plazhet, 38 për marinat, 51 për anijet dhe 4 për jahtet individuale.
Detajet e çmimeve të flamurit blu 2025 mund të gjenden në "www.mavibayrak.org.tr".