Turqia

Turqia prezanton prototipe të reja të avionit luftarak vendas KAAN

Gorgun theksoi se KAAN nuk është thjesht një avion, por një simbol i kapaciteteve inxhinierike dhe i pavarësisë së Turqisë në fushën e mbrojtjes

Firdevs Bulut Kartal  | 13.02.2026 - Përdıtësım : 13.02.2026
Turqia prezanton prototipe të reja të avionit luftarak vendas KAAN

Ankara

Prototipe të reja të avionit luftarak vendas KAAN, i cili do t’i nënshtrohet testimeve gjatë procesit të zhvillimit të udhëhequr nga Industria Turke e Hapësirës Ajrore (TAI), kanë bërë debutimin e tyre, transmeton Anadolu.

Kreu i Sekretariatit të Industrive të Mbrojtjes së Turqisë, Haluk Gorgun, vizitoi sot hangarin e projektit KAAN për t’u informuar mbi zhvillimet më të fundit të këtij projekti.

Gorgun theksoi se prezantimi i avionit të destinuar për testime statike në përmasa të plota, së bashku me prototipet e parë dhe të dytë të fluturimit, përfaqëson një arritje të rëndësishme teknike.

Ai theksoi se KAAN nuk është thjesht një avion, por një simbol i kapaciteteve inxhinierike dhe i pavarësisë së Turqisë në fushën e mbrojtjes.

Objektivi kryesor i projektit është zhvillimi vendas i një avioni luftarak të gjeneratës së ardhshme, i cili do t’i shërbejë Forcave Ajrore Turke për shumë vite.

KAAN do të pajiset me aftësi të avancuara, përfshirë dukshmëri të ulët në radar, ndarje të brendshme për armatime, ndërgjegjësim të përmirësuar situacional dhe integrim të sensorëve duke ofruar performancë të lartë në misione ajër-ajër dhe ajër-tokë.

Pas fluturimit të parë të prototipit fillestar në vitin 2024, proceset e zhvillimit dhe prodhimit po vazhdojnë pa ndërprerje, paralelisht me avancimin e kapaciteteve operative për avionë luftarakë me dhe pa pilot.

Siç tha Gorgun, programi KAAN po forcon vazhdimisht infrastrukturën e mbrojtjes dhe aviacionit të vendit, duke e pozicionuar Turqinë mes aktorëve elitarë globalë, veçanërisht përmes zhvillimit të motorit vendas.

Ai shtoi se ky program strategjik shërben gjithashtu si katalizator për forcimin e infrastrukturës, burimeve njerëzore dhe kapaciteteve teknologjike të vendit.

Autoritetet po përshpejtojnë përgatitjet për prodhimin në masë, në përputhje me fazat aktuale të testimit, në kuadër të kësaj nisme kritike teknologjike.

Gorgun njoftoi se zinxhiri vendas i furnizimit për projektin KAAN përfshin aktualisht më shumë se 5 mijë punonjës në mbi 300 kompani të shpërndara në më shumë se 20 qytete.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın