Turqia

Turqia pret që Izraeli të respektojë armëpushimin

Turqia i bën thirrje Izraelit të zbatojë planin e paqes të mbështetur nga OKB-ja, të respektojë armëpushimin dhe të lejojë dërgimin e ndihmave për Gazën

Utku Şimşek, Yusuf Soykan Bal  | 05.02.2026 - Përdıtësım : 05.02.2026
Turqia pret që Izraeli të respektojë armëpushimin

Ankara

Turqia pret që Izraeli të respektojë armëpushimin, tha të enjten Ministria e Mbrojtjes e Turqisë, raporton Anadolu.

Gjatë një konference javore për media, zëdhënësi i ministrisë, kundëradmirali Zeki Akturk, tha se Turqia dënon sulmet e Izraelit në Gaza më 31 janar, të cilat rezultuan në vdekjen e shumë civilëve të pafajshëm, në një kohë kur pritet të vendoset një armëpushim i përhershëm dhe Gaza pritet të stabilizohet sërish.

Duke vënë në dukje se sulmet e Izraelit ndaj Libanit gjithashtu pengojnë stabilitetin dhe vendosjen e paqes së qëndrueshme, Akturk tha: "Pritshmëria jonë është që Izraeli të zbatojë Planin e Paqes të miratuar me një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të respektojë armëpushimin dhe të lejojë që ndihmat humanitare të arrijnë në Gaza".


- Turqia monitoron nga afër zhvillimet në Siri

Duke iu përgjigjur një pyetjeje lidhur me situatën në Siri, ministria, në një deklaratë, tha se Turqia mirëpret marrëveshjen e 30 janarit të nënshkruar mes qeverisë siriane dhe organizatës terroriste YPG/SDF.

"Ne po ndjekim nga afër procesin në terren. Theksojmë edhe një herë rëndësinë e zbatimit të integrimit në një mënyrë që forcon strukturën unitarë të Sirisë dhe parimin e "një shtet, një ushtri", dhe presim që të gjitha aktivitetet e planifikuara të kryhen mbi bazën e transparencës dhe besimit të ndërsjellë", thuhet në deklaratë.

Deklarata thekson se Turqia shpreson që atmosfera e paqes, qetësisë dhe stabilitetit, e dëshiruar prej kohësh nga populli i rajonit, të vendoset sa më shpejt të jetë e mundur.

"Ne vlerësojmë se emërimet që do të bëhen brenda kuadrit të procesit të integrimit do të kryhen mbi bazën e vlerësimeve të autoriteteve siriane me mençuri shtetërore dhe kontrolle sigurie që do të japin rezultate pozitive", shton më tej deklarata.


- Dialogu i ndërsjellë i nevojshëm për paqe dhe drejtësi në Egje

Duke theksuar se pozicioni i Turqisë është i qartë lidhur me deklaratat e politikanëve grekë për zgjerimin e ujërave territoriale në Detin Egje deri në 12 milje, deklarata thotë: "Si Turqia, argumentojmë se një ndarje e drejtë, e barabartë dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare e zonave të juridiksionit detar në Egje mund të realizohet vetëm përmes dialogut të ndërsjellë dhe brenda kuadrit të mirëkuptimit".

"Veprimet, pretendimet dhe deklaratat unilaterale të Greqisë që injorojnë mosmarrëveshjet ekzistuese dhe shkelin të drejtat e palës turke janë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe të papranueshme. Këto deklarata nuk prodhojnë asnjë pasojë ligjore për vendin tonë" shtohet më tej.

Lidhur me marrëveshjen e kuadrit ushtarak mes Turqisë dhe Egjiptit, deklarata vë në dukje se marrëveshja ka për qëllim "forcimin e bashkëpunimit në mbrojtje përmes shkëmbimit të informacionit dhe ekspertizës në fushat e bashkëpunimit ushtarak të përcaktuara nga marrëveshja".


- Forcat turke do të vazhdojnë të ndihmojnë kapacitetin kundër-terrorizëm të Somalisë

Deklarata trajtoi gjithashtu aktivitetet e Komandës së Komponentit Ajror në Somali, duke thënë se forcat turke "do të vazhdojnë të kontribuojnë në zhvillimin e kapacitetit kundër-terrorizëm të Somalisë përmes ndihmës ushtarake, trajnimeve dhe aktivitetesh këshilluese".

"Komanda jonë e Komponentit Ajror në Somali është forcuar me vendosje të reja. Këto elemente të sapo vendosura gjithashtu do të kontribuojnë në luftën e Somalisë kundër terrorizmit", shtohet më tej.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın