Turqia pret që anija Madleen që kishte destinacion Gazën të arrijë në breg deri në mbrëmje
“Qytetarëve tanë po u ofrohen të gjitha llojet e mbështetjes dhe janë ndërmarrë nismat e nevojshme për t’u takuar me ta dhe për të siguruar lirimin e tyre sapo të zbresin”, theksuan burimet diplomatike turke

Ankara/Stamboll
Anija Madleen që transportonte ndihma humanitare për në Gaza, e cila u ndalua nga forcat izraelite, pritet të arrijë në breg deri në mbrëmjen e sotme, raporton Anadolu.
Sipas burimeve diplomatike turke, pritet që anija të arrijë në breg në orët e mbrëmjes.
“Qytetarëve tanë po u ofrohen të gjitha llojet e mbështetjes dhe janë ndërmarrë nismat e nevojshme për t’u takuar me ta dhe për të siguruar lirimin e tyre sapo të zbresin”, theksuan burimet diplomatike turke.
Burimet gjithashtu theksuan se Turqia është në kontakt me vende të tjera, qytetarët e të cilave ishin në bord të anijes, duke shtuar se familjet e shtetasve turq janë mbajtur të informuara rregullisht për zhvillimet.
Më 1 qershor, Koalicioni i Flotiljes së Lirisë dërgoi anijen 18-metërshe me vela Madleen nga Katania e Italisë, me qëllim për të thyer bllokadën në Gaza dhe për të shpërndarë ndihma.
Në bord ndodhen gjithsej 12 persona, përkatësisht 11 aktivistë dhe një gazetar.
Midis personave në bord janë aktivistja suedeze e klimës Greta Thunberg, anëtarja franko-palestineze e Parlamentit Evropian Rima Hassan, Yasemin Acar nga Gjermania, Baptiste Andre, Pascal Maurieras, Yanis Mhamdi dhe Reva Viard nga Franca, Thiago Avila nga Brazili, Suayb Ordu nga Turqia, Sergio Toribio nga Spanja, Marco van Rennes nga Holanda, si dhe Omar Faiad po ashtu nga Franca, një gazetar i Al Jazeera Mubasher.
Sipas organizatorëve, anija po transporton furnizime urgjente për popullin e Gazës, përfshirë formula për foshnje, miell, oriz, pelena, produkte sanitare për gratë, komplete për shkripëzimin e ujit, furnizime mjekësore, paterica dhe proteza për fëmijë.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.