Turqia: Paralajmërimet për navigim kundër Greqisë në Egje janë për një kohë të pacaktuar, jo 2-vjeçare
Paralajmërimet turke për navigim, të njohura si NAVTEX, theksojnë se të gjitha aktivitetet kërkimore detare që mbulojnë zonën kontinentale në Detin Egje duhet të koordinohen me Turqinë
Ankara
Ministria e Mbrojtjes së Turqisë ka bërë të ditur se paralajmërimet e saj për navigim kundër aktiviteteve të paligjshme të Greqisë në Detin Egje janë lëshuar për një kohë të pacaktuar, jo për 2 vjet siç pretendohet nga mediat greke, transmeton Anadolu.
"Njoftimet tona për navigim, të cilat shërbejnë si kundërshtime teknike ndaj aktiviteteve të Greqisë në Detin Egje që shkelin ligjin ndërkombëtar, janë lëshuar për një kohë të pacaktuar, jo për 2 vjeç siç pretendohet nga mediat greke", tha ministria turke.
Më tej, thuhet se paralajmërimet turke për navigim, të njohura si NAVTEX, theksojnë se të gjitha aktivitetet kërkimore detare që mbulojnë zonën kontinentale në Detin Egje duhet të koordinohen me Turqinë. Ministria turke thekson se aktivitetet ushtarake në zona, përfshirë në ujërat territoriale të ishujve nën status të demilitarizuar, mund të rrezikojnë sigurinë e lundrimit dhe të shkelin traktatet ndërkombëtare.
"Forcat e Armatosura Turke do të vazhdojnë të neutralizojnë, në kuadër të së drejtës ndërkombëtare, aktivitetet dhe iniciativat e njëanshme që injorojnë të drejtat dhe interesat e vendit tonë që rrjedhin nga zonat e juridiksionit të saj detar", thuhet më tej.
Lidhur me Sirinë, ministria tha se grupi terrorist YPG/SDF, i cili nuk i përmbahet marrëveshjeve të 10 marsit dhe 18 janarit që janë kritike për garantimin e stabilitetit të qëndrueshëm, vazhdon të shkelë armëpushimin që u zgjat për 15 ditë, duke ndikuar negativisht në procesin e integrimit.
Ankaraja tha se përshëndet hapjen nga qeveria siriane të një korridori ndihme humanitare në rajon si një zhvillim pozitiv dhe theksoi se Turqia do të vazhdojë të mbështesë luftën e Sirisë kundër organizatave terroriste dhe rritjen e kapacitetit të saj mbrojtës në përputhje me parimin "një shtet, një ushtri" dhe bazuar në unitetin dhe integritetin territorial të Sirisë.
Lidhur me Iranin, ministria tha se Turqia nuk dëshiron tensione dhe konflikte të reja në rajon dhe vazhdon përpjekjet për t'i dhënë fund të gjitha konflikteve dhe për të vendosur paqen dhe stabilitetin si dhe shtoi se janë marrë të gjitha masat e nevojshme në koordinim me institucionet përkatëse shtetërore kundër zhvillimeve të mundshme negative.
