Turqia: Në Qipro ka dy shtete të barabarta, sovrane dhe të pavarura
Zv/presidenti Oktay për AA tha se populli i Qipros Turke është përpjekur të arrijë një "zgjidhje të drejtë, të përhershme dhe të qëndrueshme" për çështjen qipriote me administratën e Qipros Greke

Stamboll
Zv/presidenti i Turqisë, Fuat Oktay, ka deklaruar se ishulli i Qipros sot është shtëpi e dy popujve të barabartë dhe dy shteteve të barabartë, sovran dhe të pavarura.
Pas takimit në Pallatin Dolmabahçe në Stamboll me kryeministrin e Republikës Turke të Qipros Veriore (TRNC), Ersan Saner, zv/presidenti Oktay për Anadolu Agency (AA) tha se populli i Qipros Turke është përpjekur të arrijë një "zgjidhje të drejtë, të përhershme dhe të qëndrueshme" për çështjen qipriote me administratën e Qipros Greke.
"Ne e kemi deklaruar këtë vazhdimisht. Sot në ishull ka dy popuj të barabartë, dy shtete të barabartë, sovran dhe të pavarur", tha Oktay.
Zgjidhja e paraqitur nga presidenti Tatar në Gjenevë, e cila bazohet në barazinë sovrane dhe statusin e barabartë ndërkombëtar të të dy palëve në ishull, sipas zv/presidentit Oktay është propozimi më realist. Ai shtoi se ky propozim kishte mbështetjen e plotë të Turqisë.
Oktay theksoi se komuniteti ndërkombëtar duhet ta shqyrtojë mbështetjen e dhënë për palën e Qipros Greke që nuk ka qëllim për pajtim dhe të vlerësojë seriozisht propozimin e TRNC-së.
"Përndryshe, administrata e Qipros Greke, e cila në vitin 2004 u shpërblye duke u bërë anëtare e BE-së pavarësisht refuzimit të 'Planit Annan', do të vazhdojë me qëndrimin e saj pa kompromis", tha Oktay.
Turqia mbështet TRNC-në në rihapjen e "qytetit fantazmë"
Më tej, Oktay theksoi mbështetjen e Turqisë për vendimet e fundit të TRNC-së për të rihapur pjesërisht "qytetin fantazmë" Maraş, i njohur po ashtu si Varosha, pasi ai ishte braktisur për dekada të tëra.
Maraş u rihap pjesërisht për publikun tetorin e vitit të kaluar pasi ishte një "qytet fantazmë" që nga viti 1974, ndjekur nga disa hapa shtesë muajin e kaluar.
Oktay tha se këto lëvizje ishin në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe se autoritetet e TRNC-së synojnë të eliminojnë ankesat ekzistuese, jo të krijojnë të reja.
Qyteti mbeti i boshatisur pas një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së në vitin 1984 që thoshte se vetëm banorët e tij të parë mund të risistemojnë qytetin.
Hyrja në qytetin e vendosur në TRNC ishte e ndaluar, përveç personelit të ushtrisë turke të vendosur në vend.
Për aktivitetet e eksplorimit dhe shpimit për rezervat e hidrokarbureve në Mesdheun Lindor, Oktay tha se, "Turqia ka treguar se është e vendosur të mbrojë si të drejtat e veta në kuadrin e saj kontinental, ashtu edhe të drejtat dhe interesat legjitime të popullit të Qipros Turke, që është i barabartë dhe pronarë të përbashkët të ishullit të Qipros. Ky përcaktim është i vlefshëm edhe sot".
Nëse administrata e Qipros Greke, e cila deri më tani ka injoruar të gjitha llojet e zgjidhjeve konstruktive, rifillon aktivitetet e saj të njëanshme, tha zv/presidenti Oktay, TRNC-ja po ashtu do të përdorë të drejtën e saj për të vazhduar aktivitetet e saj në zonat e saj të licensuara.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.