Turqia

Turqia dënon fuqishëm vendimin e Izraelit për të zgjeruar operacionin ushtarak në Gaza

"Dënojmë në formën më të fuqishme vendimin e Izraelit për të zgjeruar operacionin e tij ushtarak në Gaza, i cili përbën një fazë të re të politikës ekspansioniste dhe gjenocidale në rajon", thuhet në reagimin e MPJ turke

Sümeyye Dilara Dinçer  | 08.08.2025 - Përdıtësım : 08.08.2025
Turqia dënon fuqishëm vendimin e Izraelit për të zgjeruar operacionin ushtarak në Gaza

Ankara

Ministria e Punëve të Jashtme të Turqisë ka reaguar në lidhje me vendimin e qeverisë izraelite për të zgjeruar operacionin e saj ushtarak në Rripin e Gazës, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë me shkrim nga Ministria vihet në dukje se çdo hap i ndërmarrë nga qeveria fundamentaliste e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu për të vazhduar gjenocidin kundër palestinezëve dhe për të zgjeruar pushtimin i jep goditje të rëndë paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, përkeqëson paqëndrueshmërinë rajonale dhe thellon më tej krizën humanitare.

"Dënojmë në formën më të fuqishme vendimin e Izraelit për të zgjeruar operacionin e tij ushtarak në Gaza, i cili përbën një fazë të re të politikës ekspansioniste dhe gjenocidale në rajon. Vendosja e paqes së qëndrueshme në rajonin tonë do të jetë e mundur vetëm përmes sundimit të së drejtës ndërkombëtare, diplomacisë dhe mbrojtjes së të drejtave themelore të njeriut", thuhet në deklaratë.

Më tej theksohet se "Izraeli pushtues duhet të ndalojë menjëherë planet e tij të luftës, të pranojë një armëpushim në Gaza dhe të fillojë negociatat drejt një zgjidhjeje me dy shtete".

"I bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar të përmbushë përgjegjësitë e tij për të parandaluar zbatimin e këtij vendimi, i cili synon të zhvendosë me forcë palestinezët nga toka e tyre duke e bërë Gazën të pabanueshme. I bëjmë thirrje Këshillit të Sigurimit të OKB-së të miratojë rezoluta detyruese që do të parandalojnë veprimet e Izraelit që shkelin të drejtën ndërkombëtare dhe vlerat humanitare", thuhet në deklaratën e ministrisë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın