Turqia

"Turqia duhet të gëzojë financimin e BE-së për Marrëveshjen e Gjelbër"

Zv/ministri i Jashtëm i Turqisë, Faruk Kaymakcı, tha se vendi i tij ndjek nga afër zhvillimet në lidhje me Marrëveshjen e Gjelbër të BE-së, të shpallur më herët gjatë vitit

Gökhan Ergöçün   | 07.12.2021
"Turqia duhet të gëzojë financimin e BE-së për Marrëveshjen e Gjelbër"

Stamboll

Zv/ministri i Jashtëm i Turqisë, Faruk Kaymakcı, tha se financimi nga komuniteti ndërkombëtar është thelbësor për kalimin në një ekonomi të gjelbër, duke shtuar se si një vend kandidat, Turqia duhet të jetë në gjendje të gëzojë një pjesë të fondeve të ndara për vendet tjera kandidate, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke folur në Samitin e 12-të të Bosforit në Stamboll, zv/ministri Kaymakcı tha se Turqia ndjek nga afër zhvillimet në lidhje me Marrëveshjen e Gjelbër të BE-së, të shpallur më herët gjatë vitit.

Samiti dyditor, i organizuar nga Platforma e Bashkëpunimit Ndërkombëtar (ICP), filloi dje.

"Kur flasim për Marrëveshjen e Gjelbër, ne nuk flasim vetëm për mjedisin, është po aq e ndërlidhur me tregtinë siç është edhe me industrinë", tha Kaymakcı, duke shtuar: "Ne duhet të kemi transport të gjelbër të qëndrueshëm, që është gjithashtu pjesë e politikave tona energjetike".

Ai theksoi se disa vende mund të financojnë projekte të Marrëveshjes së Gjelbër vetë, por tranzicioni i gjelbër nuk është vetëm në Evropë, por gjithkund, dhe sigurisht Turqia gjithashtu përpiqet të evoluojë.

Duke folur rreth asaj se si qeveria turke ka miratuar planin e veprimit të Marrëveshjes së Gjelbër, Kaymakcı tha se Turqia fokusohet në elementë të rëndësishëm siç janë mekanizmat e rregullimit të kufirit të karbonit.

Në lidhje me kërkesat e kamotshme për përmirësim të Unionit Doganor të vitit 1995 midis Turqisë dhe BE-së, ai tha se edhe kjo ndërlidhet me Marrëveshjen e Gjelbër, pasi paktet e tregtisë së lirë me vendet e treta do të ndihmonin BE-në që të miratojë veprimet klimatike dhe politikat e qëndrueshmërisë.

"Mendoj se ka urgjencë që ne të fokusohemi më shumë në modernizimin e Unionit Doganor", shtoi ai.

- Samiti i Bosforit

Samiti është një eveniment vjetor i ekonomisë ndërkombëtare, ndërsa tema e sivjetme është "Sfidat për një botë më të mirë" dhe në të marrin pjesë zyrtarë të lartë, ekspertë dhe akademikë.

Samiti përfshin tema të fushave të ndryshme, duke përfshirë marrëdhëniet ekonomike ndërkombëtare, investimet islame, inovacionet dhe qëndrueshmëria e aviacionit.

Tema të tjera që do të diskutohen përfshijnë siguria kibernetike, bujqësia, ekonomia e gjelbër, ndryshimet klimatike dhe personat e zhvendosur.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın