Turqia

Turqia do të ndihmojë fëmijët e lindur nga DEASH-i në Irak

Ambasadori turk në Irak, Fatih Yıldız deklaroi se, synimi i Turqisë është që me kontributin e Ministrisë turke të Punës dhe Shërbimeve Sociale t’i bashkojmë fëmijët dhe familjet

Zehra Nur Düz  | 18.05.2019 - Përdıtësım : 18.05.2019
Turqia do të ndihmojë fëmijët e lindur nga DEASH-i në Irak

Ankara

Ambasadori turk në Irak, Fatih Yıldız, ka deklaruar se Turqia është e gatshme të kthejë prapa qytetarët e saj në Irak, veçanërisht fëmijët e lindur nga terroristët e DEASH-it, para festës së Bajramit e cila shënon fundin e muajit të Ramazanit, raporton Anadolu Agency (AA).

“Ne kemi për qëllim t'i kthejmë, nëse jo të gjithë, një numër të konsiderueshëm fëmijësh para festës së Bajramit. Ne jemi duke punuar për këtë”, tha Yıldız për AA.

Ambasadori Yıldız shoqëronte kryeministrin irakian, Adil Abdul-Mahdi, gjatë vizitës së tij zyrtare në Ankara.

“Ne kemi rënë dakord me palën irakiane për të lehtësuar vuajtjet e padrejta të fëmijëve”, u shpreh Yıldız.

Duke theksuar se këta fëmijë kanë marrëdhënie familjare dhe farefisnore në Turqi, Yıldız tha se, “Synimi ynë është që me kontributin e Ministrisë turke të Punës dhe Shërbimeve Sociale t’i bashkojmë fëmijët dhe familjet”.

Sipas tij, gratë turke që vuajnë dënime me burg në burgjet e Irakut duhet të ekstradohen në Turqi.

Duke iu referuar ekstradimit të kriminelëve midis Turqisë dhe Irakut që në rrethana të caktuara është i mundur, ambasadori turk theksoi se “ne duhet të gjejmë diçka”.

Në mesin e vitit 2014, DEASH pushtoi afërsisht një të tretën e Irakut, duke përfshirë qytetin verior Mosul.

Deri në fund të vitit 2017, ushtria irakiane me ndihmën e koalicionit ushtarak të udhëhequr nga SHBA-të ktheu pjesën më të madhe të territoreve të humbura nga grupi terrorist.

Edhe pse zyrtarët e Bagdadit thonë se prania e DEASH-it në vend kryesisht është çrrënjosur, grupi terrorist vazhdon të kryejë sulme sporadike në krahinat Nineveh, Kirkuk, Diyala, Saladin dhe Anbar.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.