Turqi, zbulohet gjerdani i argjendit që përshkruan perëndeshën asiriane Ishtar
Zbulimi nxjerr në pah rolin e qytetit të lashtë të Amosit si një qendër kryesore kulturore dhe tregtare që lidh Lindjen e Afërt me Mesdheun
Mugla
Një gjerdan argjendi me një figurë luani dhe një yll me tetë cepa, që besohet se përfaqëson perëndeshën asiriane Ishtar, është zbuluar gjatë gërmimeve në qytetin e lashtë të Amos në Mugla të Turqisë jugperëndimore.
Objekti u zbulua në lokalitetin e vjetër 2.200-vjeçar në kodrën Asarcik në rrethin Marmaris, ku gërmimet janë kryer pa ndërprerje gjatë gjithë vitit 2025 nën udhëheqjen e arkeologut Mehmet Gurbuzer nga Universiteti "Mugla Sitki Kocman".
Gurbuzer tha për Anadolu tha se çdo sezon gërmimesh sjell zbulime të reja dhe emocionuese, duke thënë se këtë vit u zbulua një gjerdan argjendi që përshkruan perëndeshën asiriane Ishtar, me figurë luani dhe një yll me tetë cepa. Ai tha se gjetja, e lidhur me Ishtarin, e njohur si "Inanna" në kulturën sumeriane tregon se Amosi dikur zotëronte fuqi të konsiderueshme kulturore, ekonomike dhe tregtare.
Duke theksuar se elementët e përparuar kulturorë të Lindjes së Afërt filluan të transmetoheshin në botën mesdhetare përmes marrëdhënieve tregtare dhe ushtarake në shekullin e 7-të para Krishtit, Gurbuzer tha se Amosi ishte integruar në botën e kohës së tij dhe ishte një qytet port strategjik i njohur nga shumë qytetërime të mëdha.
Gurbuzer theksoi se gjetjet e periudhës së hershme ofrojnë të dhëna të rëndësishme rreth historisë së qytetit dhe nënvizoi se Amosi kishte forcë të jashtëzakonshme ekonomike dhe kulturore. "Gërmimet në Amos janë relativisht të kohëve të fundit. Puna në sezonin e gërmimeve të vitit 2026 do të vazhdojë në strukturat banesore dhe tempullin e Apollonit Samnaios", tha ai.
Gërmimet arkeologjike në qytetin e lashtë të Amosit, të cilit i është dhënë statusi zyrtar me një dekret presidencial të vitit 2022, kryhen në kuadër të projektit Trashëgimi për të Ardhmen të Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, me mbështetjen e Dhomës së Tregtisë së Marmaris, Bashkisë së Marmarisit dhe Hotelit dhe Marinës Marti.
Vendi u gërmua për herë të parë në vitin 1948 nga arkeologu britanik G.E. Bean. Kontratat e qirasë të zbuluara gjatë atyre gërmimeve të hershme, të cilat dokumentonin qiratë e tokës të menaxhuara nga qyteti, kontribuan që Amosi të fitonte njohje në qarqet akademike dhe ofruan njohuri të rëndësishme mbi strukturën e tij të lashtë ekonomike.
