Turqi, profesionin e babait të tij e mban gjallë në të njëjtin dyqan për 64 vjet
Mehmet Evlice, 73-vjeç, prodhon këpucë dhe riparon produkte të tjera të klientëve të tij në vendin e tij të punës prej 6 metrash katrorë në lagjen Silifke të Mersinit

Mersin
Mehmet Evlice, një këpucar dhe riparues i cili është 73-vjeçar dhe jeton në lagjen Silifke të qytetit turk Mersin, vazhdon profesionin e tij për 64 vjet në dyqanin ku filloi zanatin e tij si ndihmës i babait të tij, raporton Anadolu.
Evlice, i cili e filloi mësimin e tij si ndihmës në moshën 9-vjeçare në vendin e punës prej 6 metrash katrorë të babait të tij, Haxhi Ali Evlice, e mësoi zanatin e prodhimit dhe riparimit të këpucëve.
Pas vdekjes së babait të tij në vitin 1995, Evlice mori përsipër dyqanin dhe vazhdoi të prodhonte këpucë të punuara me dorë nga lëkura.
Pavarësisht daljes në pension dhe përparimeve teknologjike, mjeshtri Mehmet nuk hoqi dorë kurrë nga profesioni dhe arriti ta mbante biznesin për 64 vjet.
Përveç prodhimit, mjeshtri Mehmet riparon këpucë, pallto, çanta dhe rripa.
"Dua ta vazhdoj profesionin tim sa të mundem"
Mehmet Evlice, i cili është i martuar dhe ka dy fëmijë, për Anadolu tha se po përpiqet ta mbajë gjallë profesionin e tij, i cili është gati të harrohet.
Mjeshtri turk deklaroi se e ndërtoi shtëpinë e tij dhe i rriti fëmijët falë këtij profesioni. "Dua ta vazhdoj profesionin tim për aq kohë sa të mundem, por nuk ka ndihmës. Do ta bëj punën time për 3-5 vjet të tjera, nëse nuk gjej dot një praktikant, do të detyrohem ta lë", tha ai.
Ai shpjegoi se, megjithëse dyqani i tij ishte i vogël, ai kishte qenë në gjendje t'u shërbente njerëzve të rrethit për shumë vite.
Mjeshtri Mehmet theksoi se e shijon punën e tij. "E bëj këtë punë sepse e dua. Qëllimi im nuk është të fitoj para, por të shfrytëzoj kohën time në maksimum", tha ai.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.